Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se pushteti me vendosmëri po e kundërshton themelimin e komisionit hetimor për energji.
Ai në një konferencë për media ka thënë se është normale që të kërkohet hetim parlamentar për të kuptuar se ku janë shpenzuar qindra-miliona euro prej janarit e deri në muajin prill.
Tahiri ka thënë se i gjithë konsumi i energjisë elektrike është mbuluar me prodhimin vendor.
Ai tutje ka thënë se nuk do të ketë normalitet parlamentar pa formimin e komisionit hetimor.
“Si iniciues të themelimit të komisionit nuk do të tërhiqemi dhe të biem pre e një provokimi të pushtetit që të korrigjojmë kërkesën tonë. Ne kërkojmë hetim parlamentar dhe kjo do të jetë e pashmangshme. Ky refuzim kaq i madh për të mos lejuar hetimin duket qartë se ka diçka për të fshehur. Shihet qartë që tashmë ka njerëz që kanë kryer vepër penale”, ka thënë ai.
Sipas tij ka angazhim të madh të LVV-së dhe Kurtit që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të mos respektohet.
Ai ka thënë se për këto 12 vjet asnjëherë LVV-ja nuk ka kërkuar komision hetimor për energjinë elektrike, për keqpërdorimit që pretendon se janë kryer.
Tahiri ka thënë se nuk ka gjë më të rëndësishme se zbardhja e rastit të këtyre parave.
“Sot në asnjë rrethanë nuk tërhiqemi dhe nuk do të ketë normalitet parlamentar pa formimin e këtij komisioni. Përpos që po e fshehin këtë krim, po e minojnë edhe demokracinë. Nuk ka arsye të qëndrojmë në Kuvend kur po na mohohet kjo e drejtë. / Gazeta Enigma.