PDK thotë se pushteti po synon “kapjen e mediave”, me projektligjin e ri për KPM-në

PDK thotë se pushteti po synon “kapjen e mediave”, me projektligjin e ri për KPM-në

Deputetët në Komisionin për Media janë përplasur sërish në lidhje me Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), njofton Gazeta Enigma.

Deputeti i PDK-së, Isak Shabani, tha se në Projektligj “nuk janë marrë parasysh rekomandimet e ekspertes së Këshillit të Evropës”.

“Në përmbajtjen e tanishme është kapja e jo liria e mediave. Mund të them që ky projektligj nuk është i dëshirueshmi. Edhe në memorandumin që na është dërguar thuhet që ligji do të përafrohet me standardet e Këshillit të Evropës, por rekomandimet e ekspertes nuk janë marrë parasysh. Edhe shoqëria civile ka ngritur shumë shqetësime. Nuk e di nëse në Kuvendin e Kosovës ka pasur më shumë komente për një projektligj sesa ky”, tha Shabani, duke shtuar se qëllimi nuk është që të ketë liri të mediave por kapje të tyre dhe se ai nuk do të marrë pjesë në votimin e këtij projektligji.

Ndërkohë, deputeti i pushtetit, Besim Muzaqi, tha se duhet shtuar edhe disa pika në amendamentin e projektligjit.

“Mendoj se është një çështje që duhet të përfshihet në këtë amendament, me qëllim që pronarët përfitues të mos jenë kushdo që fondet e tyre të kalojnë përmes arkave fiskale, sepse dihet se këto i ‘shpërlajnë’ mjetet e disa kompanive, të cilat i shfrytëzojnë mediat, andaj propozoj që një paragraf t’i shtohet këtij amendamenti, pasi mendoj se kjo e plotëson atë. Në shërbim te pluralizmit medial, pronarët përfitues nuk bënë te jenë ata që financat e tyre kapërcen përmes të ashtuquajturave parajsës fiskale”, deklaroi Muzaqi. /Gazeta Enigma

Related Articles