Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) bashkë me GIZ-in dhe ministrinë e Bujqësisë, sot kanë bërë hapjen e Panairin Bujqësor dhe të Energjisë së Ripërtëritshme, “AgriRenew 2024″, raporton Gazeta “Enigma”.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, në fjalën e tij tha se në dy vitet e fundit kanë instaluar 4 276.4 KW me panele foto-voltaike për 951 fermerë.
Tutje ai ka shtuar se projekti i cili po lansohet në bashkëpunim me Qeverinë gjermane dhe GIZ, kap vlerën prej 20.2 milionë euro.
Sipas tij me këtë projekt synohet fuqizimi i sektorit të agro-turizmit dhe eko-turizmit, duke sjellë përfitime të mëdha për fermerët, sipërmarrësit dhe komunitetet rurale.
“Gjatë gjithë mandatit tim si ministër, kemi dhënë prioritet investimeve përmes projekteve të granteve, duke integruar energjinë e ripërtëritshme si një kriter të detyrueshëm në secilën masë. Vetëm në dy vitet e fundit, kemi instaluar 4 276.4 KW me panele foto-voltaike për 951 fermerë. Vlera totale e investimit arrijnë vlerën prej rreth 50 milionë euro. Sot kam kënaqësinë të prezantoj një projekt madhor dhe transformues, i realizuar në partneritet me Qeverinë Gjermane dhe GIZ, me një investim prej 20.2 milionë euro”, tha ministri.
“Ky projekt është rezultat i një marrëveshjeje të ratifikuar në Kuvend, e cila për herë të parë në historinë e Ministrisë së Bujqësisë ka mundësuar një bashkëpunim të tillë strategjik dhe të rëndësishëm për zhvillimin e sektorit. Vlen të theksohet se deri tani si Ministri kemi investuar 300 milionë euro për të përkrahur financiarisht fermerët Kosovarë. Me këtë projekt synohet fuqizimi i sektorit të agro-turizmit dhe ekoturizmit, duke sjellë përfitime të mëdha për fermerët, sipërmarrësit dhe komunitetet rurale” deklaroi Peci.
“Përparësi e këtij projekti është promovimi i ushqimeve bio me vlera të larta ushqyese, të cilat janë një element kryesor në agro-turizëm. Në botën e sotme, ku ushqimet industriale dhe të shpejta dominojnë tregun, agro-turizmi ofron një alternativë të shëndetshme dhe të qëndrueshme, duke sjellë përpara produktet tona bio, të cilat jo vetëm që janë të freskëta dhe të shëndetshme, por edhe promovojnë një lidhje të drejtpërdrejtë mes konsumatorit dhe prodhuesit”, tha ai.
Ndërkaq, kryetari i OKE-ut, Lulzim Rafuna, tha se ky Panairi ka bashkuar fushat e bujqësisë dhe energjisë së ripërtërishme, dy sektorë që sipas tij, janë jetik për ekonominë e Kosovës, por gjithashtu përbëjnë shtyllat kryesore për të ardhmen e qëndrueshme.
E edhe ambasadori gjerman John Rohde, pati fjalë rasti, ku tha se qëllimi kryesor i Gjermanisë është që të mbështesin zhvillimin e qëndrueshme të Kosovës dhe anëtarësimit saj në BE. /Gazeta Enigma/