Peja ka fituar ndaj Sigal Prishtinës me rezultatin 87:84, të enjten mbrëma në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Ndeshja i takoi Ligës Ballkanike, ndërsa kishte fund të tensionuar e dramatik.
19 sekonda para fundit, Prishtina ishte në epërsi 84:80. Justin Davis realizoi treshe, 12 sekonda para fundit për të ngushtuar rezultatin në 84:83.
Në aksionin vijues, topi erdhi te kroati Henrik Shirko. Ai u pengua nga dy lojtarë të Pejës, por sipas arbitrave nuk kishte asgjë të parregullt. Shirko humbi topin, që erdhi te Sadio Doucuore, që shënoi për 85:84 në të mirë të Pejës, pesë sekonda para fundit.
Pasoi reagimi i ashpër i trajnerit dhe i bankës së Prishtinës. Trajneri i Prishtinës u fut në parket dhe u afrua te gjyqtarët.
Arbitrat nga Mali i Zi e ndëshkuan me gabim teknik trajnerin kroat të Prishtinës, Jaksha Vuliq. Ndërkohë Prishtina u tërhoq nga ndeshja, për t’u kthyer pak minuta më vonë.
Larry Thomas i Pejës realizoi dy gjuajtjet e lira për dy tekniket ndaj Prishtinës. Diamond Smith i Prishtinës kishte gjuajtjen e fundit nga largësia, por nuk realizoi.
Kështu fitorja me rezultat 87:84 i takoi Pejës.
Ndeshja u luajt në Gjakovë për shkak të telasheve teknike në palestrën në Pejë. Në palestër ishin dy grupet e tifozëve, ndërsa kishte tensione edhe në tribuna.
Ndeshjen e drejtoi arbitri nga Mali i Zi, Ognjen Jokiq, që deri në verë ishte i dënuar nga FIBA. Në fakt Liga Ballkanike e ka humbur thuajse plotësisht kuptimin. Dhe për këtë arsye vendimi i Pejës e Prishtinës për t’u bërë pjesë e kësaj lige nuk ishte kuptuar nga të gjithë.
Federata e Basketbollit e Kosovës nuk ka asnjë raport me Ligën Ballkanike, ndonëse ka miratuar paraqitjen e Prishtinës e Pejës në të.
Fakti se Jokiq i ka drejtuar të gjitha ndeshjet e deritashme të skuadrave kosovare dëshmon që Liga Ballkanike, që mezi mblodhi pesë skuadra, lë shumë për të dëshiruar.