Qytetet e botës po ndryshojnë ngjyrë: Fotot nga hapësira tregojnë kalimin nga dritat e verdha në të bardha

Qytetet e botës po ndryshojnë ngjyrë: Fotot nga hapësira tregojnë kalimin nga dritat e verdha në të bardha

Fotografi mbresëlënëse të realizuara nga hapësira tregojnë se si ndriçimi i qyteteve në mbarë botën ka ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve, duke kaluar gradualisht nga nuancat e verdha dhe portokalli në dritën e bardhë të fortë.

Astronauti i NASA-s, Don Pettit, ka kaluar në total afro 600 ditë në hapësirë gjatë 23 viteve të fundit, duke dokumentuar me kujdes ndryshimet e pamjes së Tokës gjatë natës.

Gjatë katër misioneve në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor, ai ka fotografuar pothuajse të gjitha qytetet e mëdha të planetit.

Koleksioni i fotografive tregon qartë se si llambat tradicionale me avull natriumi, që prodhonin dritën karakteristike të verdhë-portokalli, janë zëvendësuar gradualisht nga ndriçimi LED.

Në disa qytete, ndryshimi është dramatik edhe brenda vetëm 12 apo 13 vjetësh.

Las Vegas dhe Miami janë ndër shembujt më të dukshëm.

“Ngjyra më e ngrohtë, e verdhë-portokalli, e llambave me shkarkim gazi është larguar gradualisht në mbarë botën dhe është zëvendësuar me LED shumëngjyrëshe, kryesisht për arsye të kursimit të energjisë dhe çështjeve mjedisore”, shpjegoi Pettit.

Sipas tij, përdorimi masiv i teknologjisë LED ka ndryshuar dukshëm jo vetëm mënyrën se si duken qytetet nga orbita, por edhe atmosferën që njerëzit përjetojnë në rrugë.

Miami ndryshoi pamje brenda vetëm 12 vjetësh

Në një seri fotografish, Pettit krahason Miami-n e vitit 2012 me pamjen e qytetit nga hapësira në vitin 2024.

Fotografi mbresëlënëse të realizuara nga hapësira tregojnë se si ndriçimi i rrugëve në mbarë botën ka ndryshuar nga e verdha në të bardhë. Në foto: Miami në vitin 2012 (majtas) dhe në vitin 2024 (djathtas).

Transformimi i Las Vegasit mund të shihet edhe nga hapësira, përfshirë edhe shtimin e Vegas Sphere, që duket si një pikë e madhe në qendër. Las Vegas në vitin 2012 (majtas) dhe në vitin 2025 (djathtas).

Fotografi i NASA-s, Don Pettit, i realizoi këto imazhe gjatë katër misioneve, duke kaluar në total afro 600 ditë në hapësirë. Chicago në vitin 2003 (majtas) dhe në vitin 2024 (djathtas).

Ndryshimi është i dukshëm.

“Miami është i famshëm për rrugët e tij të ndriçuara, por vetëm së fundmi ngjyrat e shumta të qytetit mund të dallohen nga orbita, sepse më parë shkëlqimi i madh i verdhë i llambave me avull natriumi mbulonte pothuajse të gjitha ngjyrat e tjera”, tha astronauti.

Një transformim po aq i madh shihet në Las Vegas.

Fotografitë e vitit 2012 krahasuar me ato të vitit 2025 tregojnë një qytet me një pamje krejt tjetër gjatë natës.

“Las Vegas është ndoshta qyteti më i ndritshëm në Tokë dhe vazhdon spektaklin e tij me burime të reja LED, si Vegas Sphere, që shihet si njolla e madhe vjollcë në qendër”, shpjegoi Pettit.

Ndryshime të ngjashme janë vërejtur edhe në Chicago, São Paulo të Brazilit dhe Seoul të Koresë së Jugut.

Jo të gjitha qytetet kanë ndryshuar njësoj

Fotografitë tregojnë gjithashtu se revolucioni LED nuk ka ndodhur njësoj në çdo pjesë të botës.

Në Mexico City, fotografitë nga hapësira tregojnë se zonat e errëta të rezervateve natyrore kanë mbetur të paprekura, pavarësisht se qyteti ka zëvendësuar llambat e vjetra me avull natriumi me drita të bardha LED. Viti 2003 (majtas) dhe 2025 (djathtas).

Seouli ka kaluar nga një shkëlqim i fortë portokalli në vitin 2011 (majtas) në një rrjet shumë më të pastër me dritë të bardhë në vitin 2025 (djathtas).

Këto imazhe tregojnë Monterrey-n në Meksikë, të fotografuar nga hapësira në vitin 2003 (majtas) dhe në vitin 2024 (djathtas).

Në Mexico City, për shembull, pothuajse i gjithë ndriçimi i vjetër rrugor është zëvendësuar me LED, por zona të mëdha të errëta vazhdojnë të shihen aty ku ndodhen rezervatet natyrore.

Related Articles