Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë në Prishtinë, Jakup Ismaili, ka thënë se gjendja në klinikë është stabile. Ai tha se nuk ka asnjë paciente në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton Gazeta Enigma.
“Gjendja në Klinikën Gjinekologjike është stabile. Klinika është e mbushur plot me pacient. Furnizimi me barna është në rregull. Nuk kemi asnjë paciente në gjendje të rëndë shëndetësore. Është liruar edhe pacienti i fundit me COVID e cila ka përfunduar lindjen normale. Ne jemi të gatshëm të presim edhe paciente të tjera”.
Doktori Ismaili tha se në bazë të dhënave krahasuar me vitin e kaluar këtë vit ka ngritje të numrit të lindjeve, duke shtuar se vetëm në gjashtë mujorin e parë të këtij viti ka 4 210 lindje.
“Në bazë të dhënave në gjashtë mujorin e parë me krahasuar me vitin e kaluar kemi ngritje të lehtë të numrit të lindjeve dhe nuk kemi rënie. Në vitin 2020 kanë qenë 8 766 lindje kurse në këtë gjashtë mujor kemi pasur 4 210 lindje”.
“Klinika jonë ka punuar edhe gjatë kohës së pandemisë me kapacitete të plota. Lindja nuk mund të ndalet dhe është dashur të përfundojmë lindjet nga spitalet regjionale. Është dashur t’i përfundojmë edhe sëmundjet të cilat kanë kërkuar trajtim urgjent”./Gazeta Enigma/