“Për shkak të Vuçiqit, Kosova e para në listë si vatër e konfliktit në vitin 2023”

“Për shkak të Vuçiqit, Kosova e para në listë si vatër e konfliktit në vitin 2023”

Rrjeti editorial i Gjermanisë (RND) e përfshiu Kosovën në mesin e shtatë vatrave më të rrezikshme të krizës në vitin 2023.

RND tregon se është e qartë se lufta është kthyer në Evropë dhe se të gjithë mund ta shohin këtë përmes agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe thekson se në vitin e ri, konfliktet kërcënojnë nga Kosova deri në Lindjen e Mesme.

“Rreziku që vatrat e krizës të shndërrohen në konflikte të armatosura është rritur, sepse nën hijen e agresionit rus, vërehet se marrëdhëniet mes palëve në konflikt po përkeqësohen. Bota po shikon Ukrainën dhe kjo, siç po duket, luftënxitësit në mbarë botën e kanë keqkuptuar si një ftesë për të treguar muskujt e tyre”, nënvizon RND.

Në vendin e parë në listën e shtatë vatrave të krizës, që RND pret që ta ketë vëmendjen e botës në vitin 2023, është Kosova, përcjell Paparaci.

Situata në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është tejet shpërthyese, thuhet në grupin mediatik.

RND raporton se mediat lokale kanë raportuar shpërthime, të shtëna dhe bllokada rrugësh që nga mesi i dhjetorit.

Lidhur me këtë, RND thekson se personat e maskuar dhe të armatosur mund të shihen në barrikada prej 11 dhjetorit, të cilët i kanë bllokuar rrugët më të rëndësishme për në Serbi.

Gjithashtu raportohet se EULEX-i i ka njoftuar se patrulla e tij ishte sulmuar me shok bombë.

Gjithashtu, RND raporton se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka kërkuar kthimin e 1.000 pjesëtarëve të forcave të sigurisë, të cilin qeveria e Kosovës e konsideron si provokim agresiv.

RND rikujton se sipas Marrëveshjes së Kumanovës të vitit 1999, Serbia ka pranuar tërheqjen e të gjitha forcave të sigurisë nga Kosova, sepse vetëm kështu mund të vendosej paqja.

Kërkesa e Vuçiqit për futjen e forcave të sigurisë është konsideruar si retorikë luftënxitëse e tij. Ministrja e jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e cilësoi një kërkesë të tillë në Twitter si “krejt të papranueshme”, përkujton RND.

Integrimi i serbëve, kryesisht në veri, në strukturat e Kosovës është dakorduar me Marrëveshjen e Brukselit dhe me mbështetjen e qeverisë serbe në Beograd, qarqet nacionaliste serbe në Kosovë po bëjnë gjithçka për ta parandaluar këtë, edhe atë me dhunë.

“Tani në veri përsëri po ndërtohen institucione paralele, të cilat sipas marrëveshjes së Brukselit duhet të shpërbëhen. Qeveria nacionaliste serbe nën presidentin Vuçiq dhe me mbështetjen e Rusisë, është e inkurajuar të rishikojë rezultatin e luftës së humbur në 1999. Vuçiq pretendon se serbët në Kosovë “janë të shtypur” dhe se “ka plane për t’i dëbuar nga Kosova”, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron bashkëpunim me serbët dhe Evropa po përpiqet të bëjë presion mbi kandidatin për anëtarësim, Serbinë”, raportojnë mediat.

Si vatrat e mëtejshme të krizës për vitin 2023, RND rendit konfliktin midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, Turqisë dhe Greqisë, Kinës dhe Tajvanit, Bosnje dhe Hercegovinës, Rusisë dhe Kazakistanit, Kinës dhe Indisë.

Related Articles