Për tre vjet afër 300 të vdekur në aksidente trafiku, njohësit e sigurisë fajësojnë institucionet

Për tre vjet afër 300 të vdekur në aksidente trafiku, njohësit e sigurisë fajësojnë institucionet


Vetëm në datën 16 të këtij muaji, pesë persona humbën jetën si pasojë e aksidenteve në trafik, ndërsa shifra e aksidenteve gjatë këtij viti, arriti në 14 mijë aksidente, raporton Gazeta Enigma.

Nga Policia e Kosovës, kanë thënë për Gazetën Enigma se deri në muajin gusht të këtij viti, 64 aksidente kanë përfunduar me fatalitet, ku janë lënduar mbi 1 mijë persona dhe kanë humbur jetë 69.

Shifra të ngjashme ka pasur edhe gjatë viteve të kaluara ku në vitin 2021 janë regjistruar mbi 21 mijë aksidente trafiku, me mbi 14 mijë të lënduar dhe 111 të vdekur.

Në vitin 2022, nga 20 mijë e 794 aksidente, 14 mijë e 714 kanë pësuar lëndime, ndërsa janë shkaktuar 95 aksidente me fatalitet ku kanë humbur jetën 116 persona.

“Shkaqet e aksidenteve janë 90% nga paaftësia individuale dhe 10% si pasojë e kushteve teknike”

Njohësi i sigurisë, Drizan Shala, ka thënë për Gazetën Enigma se sistemi institucional ka dështuar në trajtimin e problemit të aksidenteve, duke theksuar se sistemi i kontrollit do të duhej të jetë më rigoroz duke filluar nga auto shkollat.

“Sistemi shtetëror institucional ka dështuar në fillet e krijimit të bazamentit preventivë duke filluar nga auto shkollat e deri te aftësimi final i ngasësit të automjetit, ndërsa, sistemi i kontrollit do të duhej të jetë rigoroz në pjesën ku do të nxjerrët një databazë e veçantë ku çdo ngasës i makinës që bie ndesh me rregullat e komunikacionit të dihet se në cilën auto shkollë është aftësuar, dhe, në rast se kemi një numër të madh të ngasësve të automjeteve që vijnë nga e njëjta auto shkollë atëherë do jetë padyshim nisja e inspektimeve në atë pjesë”, ka thënë Shala.

Njohësi i sigurisë Driza Shala, vlerëson se rreth 90 përqind e aksidenteve në trafik rrjedhin nga paaftësia individuale.

“Shkaqet që vijnë deri te aksidentet kryesisht janë 90% paaftësia individuale dhe pjesën tjetër prej 10% janë kushtet teknike të rrugëve dhe pjesët te tjera përcjellëse”, thekson Shala.

Se institucionet nuk kanë ndërmarrë hapat e duhur për parandalimin e aksidenteve, e thotë edhe Liridon Sejdiu, ekspert i komunikacionit rrugor.

Sejdiu për Gazetën Enigma ka thënë se faktori njeri është njëri prej shkaktarëve më të shpeshtë të aksidenteve.

“Institucionet në këtë aspekt nuk kanë ndërmarrë hapat e duhur në identifikimin e problemit, më konkretisht, në gjetjen e shkaktarëve të aksidenteve në Kosovë, pra cilët faktorë po ndikojnë më shumë”.

“Ka pak fushata vetëdijësuese të cilat prekin faktorin njeri, që sipas literaturës, është njëri prej shkaktarëve më të shpeshtë të aksidenteve në përgjithësi, pra nuk ka studime dhe analizë të duhur nga institucionet përkatëse në identifikimin e problemit kryesor të shkaktimit të aksidenteve”, ka thënë Sejdiu.

Sipas tij, hap kryesor në parandalimin e aksidenteve është hulumtimi i historikut të tyre dhe krijimi i politikave që eliminojnë shkaktarët potencial.

“Hapi kryesorë është të krijohet një bazë e të dhënave me historikun e aksidenteve, sa i përket lokacionit të ndodhjes së aksidenteve, të dhëna mbi faktorin njeri, automjet, dhe infrastrukturës rrugore. Kjo është metoda më efikase në gjetjen e problemit dhe shkaktarëve të aksidenteve dhe pastaj të krijohen politika mbi eliminimin e këtyre shkaktarëve përmes ndonjë taskforce, fushata vetëdijësuese, pra, edukimit të faktorit njeri por edhe në përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe politika më rigoroze mbi kontrollin e gjendjes teknike të automjeteve”, ka theksuar Sejdiu për Gazetën Enigma.

Kujtojmë që me qëllim të shtimit të sigurisë në trafik, Policia e Kosovës vetëm nga muaji janar e deri në gusht të këtij viti ka shqiptuar mbi 421 mijë gjoba. /Gazeta Enigma

Related Articles