Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, është deklaruar për goditjen që ai e bëri ndaj një polici gjatë protestës kundër shtrenjtimit të rrymës, shkruan Gazeta ‘Enigma’.
Molliqaj përmes nj postimi n profilin e tij në Facebook ka shprehur keqardhje për atë që ka ndodhur dhe shtoi se i takon atij të marr përgjegjësinë për incidentin.
Tutje Molliqaj ka shpjeguar situatën në momentin kur e goditi me shuplakë zyrtarin policor.
“Unë duhet të isha i përmbajtur pavarësisht provokimeve. Ndjej keqardhje për çfarë ndodhi. Mbi të gjitha, kemi përgjegjësi që qëllimi i protestës të jetë parësor dhe efekti i saj maksimal. Jo për t’i bërë bisht paragrafit me lart por një sqarim mbi rastin është i nevojshëm”, ka shkruar Molliqaj.
Tutje ai ka shtuar se “ne ishim në përpjekje e sipër që t’i lirojmë shkallët ku planifikonim t’i mbanim fjalimet. Në ato momente, dy komandantët e operacionit më kane ftuar që të diskutojmë, por në të njëjtën kohë policët tjerë më kanë shtyer, tërhequr zvarrë, sharë e ofenduar. Ajo ka qenë situata kur unë kam shtyer njërin nga policët. Pra, jo goditje, shtyerje”.
“Lus që videot të publikohen të plota. Komandantët prezent duhet ta japin dëshminë e plotë. Edhe një herë, ky sqarim nuk dua të kuptohet si arsyetim”, ka thënë ai.
Ndërsa për partinë ku vepron ai ka thënë se “dua ta sqaroj se PSD nuk e ka dhunën mjet as qëllim”.
“Por, futja e protestës në këtë regjistër është paralajmërim. Propaganda që po synon ta kriminalizojë një protestë paqësore ku asgjë nuk është dëmtuar dhe askush nuk është lënduar flet mjaft për tendencat e pushtetit. Trajtimi selektiv i protestuesve po ashtu. Për shkak të pamjes së protestuesve kërkonim që 2 folësit të flasin nga shkallët. Në të njëjtin vend që disa protestues tjerë e kishin bërë para 3 ditësh. Fërkimet që u krijuan në fillim ishin rezultat i kërkesës për fjalim”.
“Pas fjalimeve, i kemi realizuar aksionet simbolike dhe kemi njoftuar që kjo s’është protesta e fundit”, ka përfunduar Molliqaj. /Gazeta Enigma/