Përleshja e armatosur në Prishtinë, Policia: Një person i plagosur nga arma, 13 të arrestuar

Përleshja e armatosur në Prishtinë, Policia: Një person i plagosur nga arma, 13 të arrestuar

Rreth orës 1:20 të mëngjesit, Policia mori informacion për të shtëna me armë në rrugën “Lidhja e Pejës”, raporton Gazeta Enigma.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka njoftuar se në lidhje me këtë rast janë arrestuar disa persona, ku 13 prej tyre janë dërguar në mbajtje.

“Sot rreth orës 01:20, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë në rrugën “Lidhja e Pejës” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes  dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

Bazuar në informacionet e deritanishme raportohet për katër persona të lënduar, njëri prej të cilëve  dyshohet të ketë marrë lëndime nga arma e zjarrit ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime gjatë përleshjes ku dyshohet të jenë përdorë mjete të forta. Hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, ndërmarrin  veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.

Deri tani nga ana e policisë  janë identifikuar, arrestuar dhe dërguar në majtje 13 persona të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në këtë rast që është cilësuar si vrasje në tentativë”, ka thënë ajo.

Related Articles