Rreth orës 02:20 të mëngjesit të së premtes ka përfunduar seanca e Kuvendit të Kosovës ku u debatua për Propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti i është përgjigjur kritikave të qeverisë për Propozimin evropian, gjersa nga opozita theksuan se ka degradim të procesit, nga marrëveshje me njohje në qendër, në marrëveshje me Asociacion në qendër.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj gjatë seancës ia ka përmendur kryeministrit shprehjen për demarkacionin që ia kishte thënë dikur Ramush Haradinajt.
Derisa ka folur për Asociacionin, ai u shpreh me fjalët “Zajednica, Zajednica, tap kryeministër e lëshoj bajrakun”.
Në debatin për dialogun, Selmanaj derisa ka diskutuar për Propozimin evropian tha se nuk i beson Kurtit, duke i përmendur edhe gjashtë kushtet për Asociacionin.
“Unë do ta përfundoj fjalinë time me një fjali të kryeministrit që më pat lënë shumë përshtypje dhe më pati pëlqyer shumë ‘Çakorri, Çakorri, Zhlepi, Zhlepi, tap kryeministër tha e lëshoi bajrakun’. E unë po ju them sot në gjuhën e tij ‘Zajednica, Zajednica, Zajednica, tap kryeministër e lëshoi bajrakun’”, ka thënë ai.
E lidhur me kritikat ka reaguar edhe i pari i ekzekutivit, duke se nuk ka ndryshuar për të keq, porse siç ka thënë ai “opozita po sheh ndryshe tash”.
Në seancën e natës, duke përmendur emrat e deputetëve që kanë votuar për formimin e Asociacionit më 2013, Kurti ka thënë se qëndrimet e tyre tash tregojnë se ata po shohin me sy të tjerë.
“Unë nuk kam ndryshuar përmbajtësisht për keq, por ju keni ndryshuar. Pra, e kuptoni, bëhet fjalë për deputetë që e kanë votuar ‘Zajednicën’ më 2013… Nuk kam ndryshuar unë, por ju po këqyrni ndryshe tash. Konteksti, qëllimi, kuptimi nuk kanë ndryshuar. Mua asgjë sikurse trashëgimia e ish-qeverive nuk më ka ndihmuar të ndryshoj strategjinë… Në këtë dialogun që po e zhvilloj, problemin më të madh e kam kur trashëgimia e ish-qeverive është argument i armikut”, tha Kurti.
Duke folur për Asociacionin, kreu i ekzekutivit tha se “Zajednica nuk kalon”.
Në mbrojtje të Qeverisë doli edhe ministri i Financave, Hekuran Murati, duke thënë se opozita aktuale dikur kishte thënë se Serbia nuk njeh Kosovën pa i dhënë diçka.
Në seancën e natës për dialogun, ai shtoi se të njëjtit e kanë sjellë vendin në humnerë.
Për takimin e së hënës të nivelit të lartë në Bruksel, Murati tha se kjo marrëveshje është një hap tutje dhe shumë e rëndësishme drejt epilogut të mirë me Serbinë.
Ndërkaq, kritika për Propozimin evropian gjatë orëve të natës pati edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Ai theksoi se Kurti pranoi me shkrim dhe me gojë se statusi i Kosovës mbetet çështje e hapur.
“Asnjë grup negociator i Kosovës në këto 15 vitet e fundit nuk ka pranuar me shkrim apo gojë që statusi i Kosovës është çështje e hapur. Kurti pranoi neutralitetin e statusit të Kosovës”, tha ai.
E deputeti tjetër nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj theksoi se pika 7 është shtatë herë më e rëndë se të gjitha marrëveshjet e deritanishme.
“Në pikën 7 të kësaj marrëveshje thuhet se palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë mbrojtje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.
“Dil e trego Kryeministër a i ke dhënë eksterritorialitet Kishës Ortodokse serbe. A jeni të vetëdijshëm se nëse fëmijët tanë dëshirojnë ta vizitojnë natyrën e bukur rreth Manastirit të Deçanit, duhet të shkojnë me pasaporta?”, ka deklaruar tutje Zemaj.
E seancën me tension e debate të ashpra për dialogun, kryeparlamentari Glauk Konjufca e relaksoi kur i kërkoi deputetit Jahja Kokaj të flas me terma më të lehta.
Kokaj derisa ka folur për Asociacionin po ashtu u shpreh se ‘Kur e hedh budallai një gur në ujë, 1 mijë të mençur nuk mund ta nxjerrin’.
“Profesor nëse mundesh në terma më të lehtë se pak vonë, deputetët po më ankohen”, ka thënë Konjufca.