Përzgjedhësi Shabani:  Nuk do të jetë lehtë, por nuk dorëzohemi

Përzgjedhësi Shabani:  Nuk do të jetë lehtë, por nuk dorëzohemi

Kosova në hendboll (femrat) ka udhëtuar sot për në Danimarkë. Të enjten prej orës 21:00 në Horsens takohen Danimarka e Kosova. Ndeshja i takon xhiros së parë të fazës grupore të kualifikimeve për Euro 2024.

Danimarka është favorite e madhe, por te Kosova ka vendosmëri për angazhim maksimal në fushën e lojës. Përzgjedhësi Agron Shabani ka thënë se Kosova nuk do të dorëzohet.

“Jemi të vetëdijshëm që nuk do të jetë lehtë, por nuk do të dorëzohemi. Unë dhe vajzat e dimë se na presin dy ndeshje shumë të vështira ndaj Danimarkës, njërës prej kombëtareve më të mira botërore. Te Danimarka janë lojtaret që luajnë në ekipet më të mira evropiane”.

“Kemi të bëjmë me lojtare me përvojë të madhe ndërkombëtare, ku vitet e fundit ishin thuajse në secilën finale evropiane dhe botërore. Por edhe ne kemi rritje si kombëtare dhe po ashtu kemi lojtare që janë në liga të forta evropiane. Kemi disa emra të rinj në Kombëtare në krahasim me grumbullimin e kaluar dhe po shikojmë para drejt një jave shumë aktive. Presim angazhim maksimal të vajzave tona”, ka thënë Shabani.

Menjëherë të shtunën prej orës 20:15 është ndeshja e dytë me Danimarkën, në Prishtinë.

Vjet danezet luajtën në finale të Evropianit, ndërsa në vitin 2020 ishin në gjysmëfinale. Sa i takon Botërorëve, në vitin 2021 Danimarka ishte e treta.

Related Articles