Pesë vrasje brenda pak ditëve në Kosovë – Shteti “në gjumë”

Pesë vrasje brenda pak ditëve në Kosovë – Shteti “në gjumë”

Brenda vetëm një jave Kosova është tronditur nga pesë raste të rënda të vrasjeve që kanë ngritur alarmin për sigurinë publike në vend, shkruan Gazeta “Enigma”.

Rasti i parë ndodhi mëngjesin e 16 marsit në Gjakovë, ku 38-vjeçari, Rasim Binakaj, dyshohet se u vra nga ish-miku i tij, Nexhdet Zymberaj. Autoritetet e sigurisë u aktivizuan menjëherë për kapjen e dorasit, i cili dyshohet se plagosi edhe një 29-vjeçar, megjithatë, Zymberaj u vetëdorëzua tek pasditen e së hënës.

Pak ditë më pas, ndodhi edhe një vrasja në Kosovë. Në Bokshiq të Klinës, dyshohet se vëllai vrau vëllain, dhe motivi raportohet të kenë qenë konflikte pronësore.

I vdekur mbeti Faruk Jusufi, ndërsa tashmë Gjykata ia ka caktuar 30 ditë paraburgim të vëllait të të ndjerit, Jetmir Jusufit.

Ndërsa të dielën, një ditë pas tragjedisë në Klinë, një tjetër rast makabër u regjistrua në fshatin Majac të Podujevës. Tre persona mbetën të vdekur si pasojë e të shtënave me armë, në mesin e tyre edhe e dyshuara kryesore.

Ardita Gashi, 31-vjeçare, dyshohet se si pasojë e një mosmarrëveshjeje privoi nga jeta të dashurin e saj, 45-vjeçarin Ilaz Brahimi. Sipas versionit të familjarëve, ajo privoi nga jeta edhe gruan e axhës së saj, Miradije Gashin, 73-vjeçare, dhe më pas edhe vet Ardita ka ndërruar jetë në QKUK. Motivi i kësaj vrasjeje ende nuk dihet, teksa autoritetet po vazhdojnë ende hetimet.

Eksperti i sigurisë Drizan Shala vlerëson se këto ngjarje nuk duhet parë thjesht si statistika apo raste të izoluara. Sipas tij, bëhet fjalë për një sinjal që kërkon analizë të thellë dhe reagim të menjëhershëm institucional “pasi rreziku më i madh qëndron në normalizimin e dhunës dhe në mungesën e mekanizmave efektivë të parandalimit”.

“Pesë jetë të humbura brenda një jave nuk janë më statistikë. Janë sinjal. Dhe në gjuhën e sigurisë, ky sinjal nuk injorohet – ai analizohet, interpretohet dhe mbi të gjitha, kërkon reagim. Pyetja nuk është vetëm nëse kemi të bëjmë me raste të izoluara apo me një trend në rritje. Pyetja reale është: a kemi hyrë në një fazë ku dhuna po bëhet mjet i zakonshëm për zgjidhjen e konflikteve?”, tha Shala për Gazetën “Enigma”

Sipas tij “ajo që po shohim nuk është domosdoshmërisht krim i organizuar klasik. Është diçka më e rrezikshme në afatgjatë: normalizimi i dhunës interpersonale, ku konfliktet e përditshme – personale, familjare apo ekonomike – përfundojnë me armë dhe me pasoja fatale”.

“Armët nuk e krijojnë konfliktin, por e kthejnë atë në tragjedi”

“Këtu hyn elementi më kritik: armët ilegale. Kosova vazhdon të jetojë me një realitet të trashëguar nga paslufta, ku një numër i konsiderueshëm armësh mbetet jashtë kontrollit institucional. Në një ambient të tillë, çdo konflikt ka potencial të përshkallëzohet brenda sekondave. Armët nuk e krijojnë konfliktin, por e kthejnë atë në tragjedi”, deklaroi Shala.

“Sistemi i drejtësisë mbetet hallka më e dobët në këtë zinxhir – Përgjegjësia institucionale nuk mund të ndalet bardh e zi”

“Në këtë kontekst, përgjegjësia institucionale nuk mund të ndahet bardh e zi. Policia e Kosovës, në shumicën e rasteve, reagon shpejt dhe profesionalisht pas ngjarjes. Por sfida reale nuk është reagimi – është parandalimi. Dhe parandalimi kërkon inteligjencë kriminale më të sofistikuar, identifikim të hershëm të rrezikut dhe ndërhyrje para se konflikti të bëhet i pakthyeshëm”, tha Shala për “Enigmën”.

Tutje ai ka theksuar se problemi më i madh është ai social, pra siguria nuk është vetëm çështje policie apo gjykatash, është çështje kulture, edukimi dhe kohezioni social.

“Nga ana tjetër, sistemi i drejtësisë mbetet hallka më e dobët në këtë zinxhir. Dënimet që perceptohen si të lehta, procedurat e zgjatura dhe rastet e përsëritura të recidivizmit krijojnë një realitet ku frika nga ligji zbehet. Dhe kur ndëshkimi nuk është i sigurt, ashpërsia e tij humbet efektin”, deklaroi ai.

I pyetur nëse duhet të ndihen qytetarët të rrezikuar nga këto raste, Shala thotë se nuk ka indikacione të tilla.

“Jo në nivel paniku. Por po në nivel ndërgjegjësimi. Sepse këto ngjarje, edhe nëse mbeten të izoluara në statistikë, kanë një efekt shumë më të madh: krijojnë perceptimin e pasigurisë. Dhe perceptimi, në shumë raste, është po aq i rëndësishëm sa realiteti”, ka theksuar Shala.

“Nëse jo, rreziku nuk është vetëm rritja e numrit të vrasjeve. Rreziku është më i thellë: zhvendosja graduale e shoqërisë drejt një normaliteti ku dhuna bëhet pjesë e përditshmërisë. Dhe kjo është një vijë që, nëse kalohet, është shumë më e vështirë të kthehet mbrapa”, përfundoi ai.

Kujtojmë se edhe mbrëmjen e së hënës rreth orës 21:00 pati të shtëna me armë zjarri në rrugën “B” në Prishtinë, ku një inspektor i IPK-së ka mbetur i plagosur. Aktualisht ai është jashtë rrezikut për jetën. /GAZETA ENIGMA/

Related Articles