Aktualisht në Kosovë siguria publike konsiderohet se po cenohet nga krime të ndryshme, raporton Gazeta “Enigma”.
Pompat e derivateve dhe shitore të ndryshme në vendin tonë janë caku i vjedhjeve nga grupet e armatosura.
Sinjali mëson ekskluzivisht se një grup kriminal i përbërë prej katër personash është arrestuar të hënën mbrëma në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.
Sipas burimeve, katër të arrestuarit dyshohen për një sërë grabitjesh nën kërcënimin e armëve, kryesisht në pompa derivatesh në rajonin e Prishtinës, por edhe në shitore e vende tjera dhe të njëjtit ia kishin mësyrë që të largohen nga shteti i Kosovës.
Të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar lidhur me rastin nga organet e hetuesisë.
Ndërkohë Policia në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje në pronat e të dyshuarve, ku kanë gjetur dhe sekuestruar disa prova materiale për rastet në të cilat dyshohet se janë përfshirë.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe ata do të hetohen nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Grabitje’.