Pas dy interpretimeve të shfaqjes “The Handke Project” “Teatro di Rifredi”, që është një prej skenave të “Teatro della Pergola” në Firence më 2 dhe 3 shkurt, në ditën e katërt të këtij muaji ekipi i artistëve ka ateruar në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas. Gjatë rrugës për në Kosovë, një pjesë është ndalur nga Policia nën dyshimin se janë trafikantë tritoli. “Drama” rreth 10-orëshe ka përfunduar duke i liruar pa i pajisur me asnjë dëshmi rreth ndalimit e mbajtjes në Kukës e Tiranë
Mëngjesi i së hënës e ka gjetur drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë në Tiranë, Tonin Vocaj, para kamerave në një konferencë për media, duke dhënë sqarime për dy aksione policore dhe disa të arrestuar për trafikim të lëndëve eksplozive e montues të mjeteve shpërthyese. Sipas tij, pas një “pune hetimore 4-mujore” e “duke përdorur metoda speciale të hetimit” është bërë goditja e një grupi kriminal nga Kosova, që kryente trafikim armësh dhe lëndësh eksplozive nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. Midis të arrestuarve ishin tre shtetas kosovarë dhe dy të tjerë ngelin në kërkim.
Por drejtori Vocaj në konferencën pompoze nuk ka përmendur një huqje: ndalimin, arrestimin e keqtrajtimin e një grupi tjetër kosovarësh, anëtarëve të ekipit të shfaqjes “The Handke Project”, produksion i Qendrës “multimedia”. Pas dy interpretimeve të shfaqjes në “Teatro di Rifredi”, që është një prej skenave të “Teatro della Pergola” në Firence më 2 dhe 3 shkurt, në ditën e katërt të këtij muaji ekipi ka ateruar në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas. Më pas kanë marrë rrugën drejt Prishtinës. Në vendin ku bëhet pagesa e shfrytëzimit të “Rrugës së Kombit”, rreth orës 00:30 patrullat e Policisë kanë qenë duke kontrolluar për gjoja kapjen e anëtarëve të grupit kriminal në kërkim. Në një prej makinave ishin tre anëtarë të ekipit. Në sytë e pjesëtarëve të Policisë dolën më shumë se të dyshimtë. Një prej oficerëve hipi në makinë me ta dhe urdhëroi që të përcjellë nga dy patrulla policie të vazhdojnë drejt Kukësit, shkruan Koha.net
“Kemi qenë në terr të plotë informativ. Nuk na e komunikonin pretekstin e ‘shoqërimit’. Por pastaj e kuptuam që duan të na lidhin me atë grupin e Gjilanit që u kap me tritol. Nuk donin t’i shihnin biletat e avionit, ku kuptohej që ne sa ishim kthyer nga Italia. Ata thjesht synonin që në konferencën për media të paralajmërojnë me pompozitet që ‘kanë qenë efikas’ dhe se kanë kapur tërë grupin e ‘kontrabandistëve kosovarë’. Prandaj na shantazhonin e na kërcënonin”, ka treguar një nga anëtarët e ekipit të shfaqjes pa dashur t’i përmendej emri. Në oborrin e Komisariatit të Kukësit do të qëndronin për rreth tri orë, e më pas dërgimi në Tiranë qe “akti i dytë i dramës”.
Në Tiranë janë trajtuar si grup i rrezikshëm kriminal duke qëndruar në ambiente me të arrestuar të tjerë.
“Aty mandej na kanë përplasë në dhoma me të ndaluar të tjerë, në kushte të tmerrshme higjienike e në të ftoftë ekstrem”, ka treguar një prej të ndaluarve. Në njoftimin e Qendrës “Multimedia” për këtë rast tregohet se përfundimisht janë lënë të lirë në mëngjesin e së hënës, pasi u sqarua se ishim arrestuar e mbajtur gabimisht.
“Pamja e përgjithshme e Policisë së Shqipërisë është ajo e një ngrehine dhune të normatizuar. Gjatë këtyre rreth dhjetë orëve kemi qenë pre e një terrori sistematik, kemi qenë të sulmuar fizikisht e psikikisht nga vagabondë të veshur në uniforma policore. Për një kohë kaq të shkurtër disaorëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektiv të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; Që gjuhen seksiste, dhunën psikike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre”, shkruhet në njoftimin e lëshuar pas lirimit nga Policia ku kanë qëndruar rreth 10 orë. Në njoftim përmenden edhe raste kur disa zyrtarë policorë janë sjellë tejet normal.