Policia e Kosovës ka njoftuar të enjten se pas një operacioni të zhvilluar në Konushefc të Podujevës janë gjetur 91 kilogramë drogë, raporton Gazeta “Enigma”.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media drejtori i Drejtorisë së Narkotikëve, Major Reshat Murseli, tha se aksioni është koduar me emrin “Kamera”, teksa i njëjti aksion është zhvilluar pas hetimeve të ndërmarra disa muaj, i koordinuar me Prokurorinë e Prizrenit dhe me Prokurorinë e Prishtinës.
Aksioni ka nisur mbrëmë rreth orës 20:20 ku policia i ka dhënë urdhër të ndalohej veturës që dyshohej se transportonte substanca narkotike, por, sipas Major Reshatit, të dyshuarit nuk kanë përfillur urdhërat por kanë rritur intensitetin e lëvizjes së veturës.
Gjatë ikjes, vetura ka goditur një hetues policor, “i cili ka pësuar me lëndime të lehta trupore dhe i janë shkaktuar dëme materiale veturës”, u tha në konferencë.
Tutje, policia ka shkrepur me armë, teksa për shkrepjen e armës është njoftuar edhe IPK.
“Ndërsa vetura është ndaluar i dyshuari braktis veturën dhe arrin të arratiset në këmbë në drejtim të panjohur. Në veturë brenda saj policia ka gjetur 34 paketime me marihuanë me peshë mbi 91 kilogramë”, tha policia në konferencë. / Gazeta Enigma.