Në shenjë mbështetjeje për serbët në Kosovë dhe Mal të Zi, më 8 shtator u organizua një bllokadë e shkurtër në rrugën kryesore drejt kufirit me Shqipërinë në zonën e komunës së Tuzit.
Grupi që bllokoi këtë rrugë kishte vendosur edhe pankartën “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, gjë e cila nxiti një reagim të ashpër nga drejtuesit e komunës së Tuzit, ku shumica e banorëve janë shqiptarë. Reagim të ashpër pati edhe nga të gjitha partitë shqiptare në Mal të Zi.
Subjektet politike shqiptare në Mal të Zi kërkuan përgjegjësi nga policia dhe prokuroria malazeze për këtë akt dhe kërkuan identifikimin e grupit që, siç thanë ata, vendosën pankartën nacionaliste.
Policia e Malit të Zi nuk është përgjigjur zyrtarisht në pyetjet e Radio Evropa e Lirë nëse është raportuar për bllokimin e rrugës Tuzi-Bozhaj dhe nëse po, cila organizatë ka organizuar këtë bllokim.
Jozyrtarisht, REL-it iu tha se në tubim morën pjesë më pak se 20 persona, që është më pak sesa kërkohet me ligj për të raportuar një tubim publik. Po ashtu ata jozyrtarisht thanë se në këtë rast prokuroria nuk ka konstatuar elemente të veprës penale.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, thotë se kjo ishte një shfaqje skandaloze që vënë në pikëpyetje veprimet e organeve kompetente, veçanërisht të policisë, për të cilën pretendon se ka ofruar siguri gjatë këtij tubimi.
“Edhe pse policia ofroi siguri gjatë tubimit, fakti është se para syve tanë, hordhitë provokuese të keqbërësve shpërndanin lirshëm mesazhe që bënin thirrje për konflikte”, thotë Gjelaj.
Gjelaj thotë se edhe pesë ditë pas kësaj ngjarjeje, policia nuk është përgjigjur se kush e organizoi tubimin dhe nëse ishte marrë leje nga autoritetet për të.
Ai u bëri thirrje institucioneve kompetente, para së gjithash drejtorisë së policisë, që të marrin masa të menjëhershme dhe të sigurojnë që incidente të tilla të mos e kërcënojnë qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve të Tuzit në të ardhmen.
“Provokime të tilla mund të kishin pasoja fatale… Mesazhe të tilla luftënxitëse, të cilat haptazi bëjnë thirrje për gjakderdhje të re në rajon, nuk kanë vend në një komunitet si ky”, thotë ai.
Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikolla Camaj, thotë se ngjarje të tilla nuk kanë vend në Mal të Zi, veçmas në Malësi, zonë e banuar me shumicë shqiptare, ku gjendet edhe komuna e Tuzit.
“Provokimi ka kaluar pa incidente vetëm në sajë të rrethanave fatlume, pasi vendasit nuk kanë qenë të informuar dhe nuk kanë ditur për këtë ngjarje”, thotë ai.
Forumi Shqiptar u bëri thirrje autoriteteve që, siç thonë ata, mundësuan organizimin e “kësaj loje shoviniste”, të marrin përgjegjësinë dhe të japin dorëheqjen.
Partia shqiptare Forca, e quajti ngjarjen pranë kufirit me Shqipërinë një demonstrim të politikës së “Serbisë së Madhe” dhe një përpjekje për të destabilizuar situatën në Mal të Zi.
Kjo parti i bëri thirrje kryeministrit Millojko Spajiq, që të distancohet nga veprime të tilla. Spajiq nuk ka reaguar për këtë rast.
Partitë shqiptare bëjnë pjesë në koalicionin qeverisës të Spajiqit, së bashku me partitë populiste dhe proruse në Mal të Zi.
Këtë ngjarje e ka trajtuar Qendra e forenzikës digjitale, që na njoftuar se ka identifikuar një pjesë të personave që u tubuan pranë kufirit me Shqipërinë.
Kjo qendër tha se ata ishin anëtarë të të ashtuquajturit Batalioni i shtatë i ish-Ushtrisë Jugosllave dhe anëtarë të vëllazërisë Tvrdosh Nikshiq, të cilët janë të afërt me Kishën Ortodokse Serbe.
Batalioni i shtatë i ish-ushtrisë jugosllave ishte formuar më 1999 dhe u shërbeu autoriteteve të atëhershme në Beograd, gjegjësisht regjimit të Sllobodan Millosheviqit për aktivitete hibride në territorin e Malit të Zi dhe shkaktimin e incidenteve, provokimeve dhe konflikteve.
Tvrdosh Nikshiq është organizatë që përfaqëson vlera antiperëndimore dhe proruse dhe ka elemente të dukshme të konservatorizmit fetar dhe kombëtar.
Kjo organizatë e vlerëson misionin e saj si patriotik dhe humanitar, ndërsa përdor ikonografi që janë karakteristikë të grupeve të djathta.
Slogani “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, ishte shfaqur për herë të parë më 2023, kur ndodhi sulmi i armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës.
Përveç ngjarjeve në skenën politike malazeze, ngjarjet rajonale shpesh janë shkas për aktivizimin dhe veprimin e organizatave dhe individëve të ekstremit të djathtë.