Policia shton masat e sigurisë në nivel vendi, përmend sulmet e ditëve të fundit në veri

Policia shton masat e sigurisë në nivel vendi, përmend sulmet e ditëve të fundit në veri

Pas incidenteve të fundit në veri të vendit, ku u sulmuan me granata dore stacioni policor dhe objekti i komunës në Zveçan, Policia e Kosovës thotë se do të shtojë masat e sigurisë në nivel vendi, shkruan Enigma.

Në komunikatë thuhet se, me qëllim të shtimit të sigurisë publike dhe parandalimit të incidenteve të natyrave të ndryshme, Policia e Kosovës ka shtuar masat e sigurisë në vend, përfshirë veriun e vendit ku ditëve të fundit kanë ndodhur disa sulme/incidente serioze kriminale.

“Me planifikimet e parapara do të ketë shtim të aktiviteteve policore për të ofruar më shumë siguri në tërë vendin, për të gjithë qytetarët pa dallim. Planifikimet operative policore do të fokusohen në rritjen e prezencës policore në teren, duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se “policia me anë të veprimeve operative dhe atyre inteligjente do të ketë synim që të ruajë rendin e qetësinë publike, të parandalojë aktet kriminale e të hetojë e vejë para drejtësisë të gjitha ata që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues”.

Policia thotë se qëllimi i operacioneve policore do të jetë siguria e qytetarëve, siguria e pronës së tyre e pronës publike dhe asaj institucionale.

“Duke pasur parasysh se ndihmë të madhe në realizimin e objektivave policore për më shumë siguri në vend, ka edhe bashkëpunimi me qytetarë, policia duke falënderuar për bashkëpunimin e deritashëm, fton qyfterët që edhe tani e tutje të ndajnë me ne informacione që shkojnë në drejtim të rritjes së sigurisë për të gjithë pa dallim”.

Gjatë dy ditëve të fundit në veri të vendit, respektivisht në Zveçan, janë sulmuar me granata dore objektet e stacionit policor dhe ai i Komunës.

Ndërsa, kryeministri Abin Kurti, ka reaguar sot duke dënuar sulmet që po bëhen ndaj institucioneve në veri, derisa ka thënë se këto sulme kanë për qëllim vetëm të mbjellin frikë.

Related Articles