Kryeministri Albin Kurti të enjten ka folur lidhur me stërvitjen e djeshme të ushtarëve serbë në kufi me Kosovën,
Teksa po merrte pjesë në përurimin e segmentit Vushtrri-Prishtinë, Kurti ndër të tjera veçoi se njësitë serbe që po kryenin aktiviteteve në kufi me Kosovën, sipas tij janë njësi që e kishin trajnuar Milan Radoiçiqin për sulmin në Banjskë.
“Provokim i Serbisë. Bëhet fjalë për njësi që e kanë trajnuar kryekriminelin Radoiçiq për sulmin në Banjskë të Zveçanit. Forcat tona janë të përgatitura, dhe kufiri ynë është i mbrojtur”, tha Kurti.
“Ky është një provokim i Serbisë, i cili natyrisht që dëshiron ta cenojë integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të Republikës sonë. Bëhet fjalë për njësi të cilat e kanë trajnuar kryekriminelin dhe kryeterroristin Milan Radoiçiq, në bazat e stërvitjes për vrasjen e policit të Kosovës, heroit Afrim Bunjaku. Por në të njëjtën kohë tregon edhe pafuqinë e tyre. Sepse në Kosovë më nuk ka struktura ilegale të cilat mund ta cenojnë stabilitetin institucional, integritetin territorial, sovranitetin shtetëror, paqen dhe sigurinë për të gjithë. Dhe nga kjo pafuqi e tyre që të bëjnë diçka brenda Kosovës tash kanë shkuar aty rrotull kufirit edhe përpiqen që të demonstrojnë forcën”, tha ai.
Kurti bëri të ditur se lidhur me këtë çështje u është drejtuar faktorëve ndërkombëtarë dhe paralajmëroi adresim edhe në mbledhjen e Qeverisë.
“Është provokim, ne për këtë u kemi shkruar faktorëve ndërkombëtarë. Do ta kemi një adresim edhe në mbledhjen e qeverisë së Republikës së Kosovës e cila mbahet sot. Por forcat tona janë të përgatitura, kufiri ynë është i mbrojtur, dhe këtë e bëjmë me forcën e sigurisë së Kosovës, me policinë e Kosovës, me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë në veçanti me KFOR-in. Pra në njërën anë është e vërtetë që demonstrojnë destruktivitet dhe agresivitet, por në anën tjetër kjo është edhe shprehje e frikës edhe e pafuqisë së tyre që Republika e Kosovës është më e fortë se kurrë, më e përparuar se kurrë, dhe nuk mund të na ndalin pavarësisht se çfarë planesh kanë apo çfarë dëshirash nuk ju treten ende”, tha Kurti.
