Premtime astronomike të partive: Antarësimi në NATO i Kosovës  – ëndërr apo realitet?  

Premtime astronomike të partive: Antarësimi në NATO i Kosovës  – ëndërr apo realitet?  

Premtime astronomike po dëgjohen nëpër fushatat elektorale të partive, porse njëra prej tyre kumbon më shumë.

Ajo për anëtarësimin e Kosovës në aleancën euroatlantike, në NATO të cilën më shumë se partitë e tjera, po e përmend AAK-ja e Nisma, shkruan Gazeta Enigma.

Ky koalicion beson që mund ta anëtarësojë Kosovën në NATO – qëllim të cilin e kanë pasur të gjitha partitë që kanë qeverisur vendin ndër vite, por që nuk kanë arritur ta jetësojnë deri më tani.

Rruga për t’u bërë pjesë e NATO-s nuk është e lehtë, duke e marrë parasysh faktin që Kosovën nuk e kanë njohur ende disa shtete, që janë anëtare të kësaj Aleance.

Analisti i çështjeve politike Blerim Burjani, premtimet e tilla në fushata zgjedhore i sheh më tepër si ‘dëshira partiake’ se sa mundësi reale për t’u realizuar.

“Këto mbeten premtime, angazhime pa siguri, premtimet e kësaj natyre nuk varen vetëm nga një shtet, por, shtetet anëtare. Prandaj fokusimi i tërë fushatës në një anëtarësim në NATO është më tepër dëshirë sesa mundësi reale, pasi që Kosovën ende nuk e njohin katër shtete anëtare, pa për anëtarësim kërkohet konsensus, por, edhe duhet standartet e cilësisë ushtarake në nivel të kërkesave të NATO-s, pra, duhet të plotësohen edhe kërkesat e shumta shtësë”, u shpreh Burjani për Enigmën.

Sipas tij, slogani veçanërisht i AAK-së me Nismën është më shumë dëshiror sesa i realizueshëm.

Edhe presofesori në Universitetin Agder në Norvegji, Abit Hoxha, ka shfaqur një qëndrim më të rezervuar në lidhje me këtë çështje.

Hoxha potencon se nuk është një lëvizje e mënçur të bëhen premtime të tilla nga partitë politike pasi që anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk varet nga dëshirat e Kosovës.

Mendoj që partitë politike në Republikën e Kosovës nuk është mirë të bëjnë premtime elektorale të cilat nuk varen prej tyre, sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO duhet të ketë vullnet politik brenda kësaj aleance, dhe e dyta duhet të ratifikohet kjo ftesë në të gjitha kuvendet ose parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s. Dhe siç është e ditur, brenda NATO-s janë disa shtete që akoma nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovram”, deklaroi Hoxha.

Ndërkohë, ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, vlerëson se anëtarësimi i shpejtë në aleancën ushtarakë është i mundur, si teknikisht edhe politikisht.

Shea thekson se shembulli i Finlandës dhe Suedisë, që u anëtarësuan pa kaluar në Planin e Veprimit për Anëtarësim, tregon fleksibilitetin e NATO-s kur ka vullnet politik nga aleatët.

“Vendimmarrja e NATO-s është mjaft fleksibile në varësi të faktit nëse aleatët kanë një interes të përbashkët për të sjellë një shtët të ri në aleancë ose, anasjelltas, për të gjetur arsye shtesë për të shtyrë anëtarësimin dhë për të mbajtur kandidatët në dhomën e pritjes. E gjitha është çështje e vullnet politik”, deklaroi ish-zëdhënësi i NATO-s.

Në prespektiven e Sheas, roli i ShBA-së do të jetë vendimtar në këtë proces.

Ai konsideron se ndërsa ish-presidenti amerikan, Joe Biden, ka qenë i kujdesshëm në zgjerimin e NATO-s për shkak të drojës rreth Rusisë, administrata e re amerikane nën drejtimin e Donald Trumpit mund të jetë më e hapur ndaj anëtarësimit të Kosovës.

Kosova megjithatë është ende larg arritjes së marrdhënieve kontraktuale dhe politike me NATO-n.

Aktualisht, ajo nuk është anëtare e Partneritetit për Paqe, që konsiderohet faza e parë e bashkëpunimit me aleancën dhe e përshtatjes më standardet dhe procedurat e saj.

Kujtojmë senë vitin e kaluar, Asambleja Parlamentare e NATO-s e miratoi rekomandimin për avancimin e statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asociuar.

Ndër të tjera, pjesë e NATO-s janë 32 shtete anëtare ku 4 prej tyre: Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja nuk e kanë njohur pavarësinë e shtetit më të ri në Evropë.

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës as Bosnja Hercegovina dhe Serbia nuk janë pjesë e NATO-s. /GazetaEnigma/

Related Articles