Presidenca konstituimin e Kuvendit e konsideron “urgjencë shtetërore”

Presidenca konstituimin e Kuvendit e konsideron “urgjencë shtetërore”

Këtë të martë Kuvendi i Kosovës ka njoftuar që nesër nga ora 11:00, do të vazhdojë seanca konstituive, raporton Gazeta “Enigma”.

Presidenca ka reaguar në lidhje me këtë ku ka theksuar se konstituimi i Kuvendit është “urgjencë shtetërore”.

“Presidenca e konsideron urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të dala nga vullneti i popullit Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin tonë, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve”, kanë thënë nga Presidenca për Gazetën “Enigma”.

Tutje ata kanë shtuar se “zvarritja e deritanishme ka dëmtuar jo vetëm kredibilitetin e institucioneve e zhvillimin e vendit, por edhe përparimin e vendit në arenën ndërkombëtare”.

“Presidenca apelon tek të gjithë deputetët që të veprojnë me përgjegjësi të plotë, në frymën e bashkëpunimit dhe të mirëbesimit, në mënyrë që shteti të ecë përpara i konsoliduar dhe t’i përmbushë me sukses proceset e rëndësishme që e presin Kosovën në forcimin e pozitës së saj si brenda ashtu edhe ndërkombëtarisht”.

Kujtojmë se vendimi për vazhdimin e seancave për konstituimin e Kuvendit vjen pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese. /Gazeta Enigma/

Related Articles