Deri tani 10 viktima janë regjistruar nga një aksident me fatalitet i një autobusi kosovar në Brod të Kroacisë, raporton Gazeta “Enigma”.
Zyra e Presidentes në një përgjigje kanë thënë se Presidentja Osmani do të shpallë ditë zie.
“Presidentja Osmani do të shpallë dite zie. Për ditën e saktë do të njoftoheni së shpejti”, ka thënë këshilltari për media i zyrës së Presidentes, Bekim Kupina.
Para pak kohësh, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dhënë informacionet e fundit rreth aksidentit tragjik që ndodhi sot në Kroaci.
Sipas të dhënave të MPJD’së, në këtë aksident kanë vdekur 10 persona, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe 15 prej tyre janë më lëndime të rënda.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), nga komunikimi me autoritetet kroate njofton opinionin publik se nga të dhënat e konfirmuara deri në orën 11:30, si pasojë e një aksidenti tragjik në trafik që ndodhi në Slavonski Brod të Kroacisë kanë humbur jetën 10 persona, bashkëatdhetarë, 44 persona kanë marrë ndihmë mjekësore dhe prej tyre 15 janë me lëndime më të rënda.
MPJD-ja, do të njoftojë opinionin publik ne kohë reale me të dhënat e tjera të konfirmuara gjatë orëve në vazhdim lidhur me këtë ngjarje tragjike”, thuhet në komunikatë.