Presidentja Vjosa Osmani është ftuar nga homologu i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, për të marrë pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë, raporton Gazeta Enigma.
Forumi i këtij viti, me temën “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”, synon t`i adresojë sfidat ndërkombëtare në një kontekst të polarizuar global, duke vënë theksin në nevojën që diplomacia ta rifitojë rolin e saj si forcë stabilizuese dhe ndërtuese e paqes.
Në njoftimin e presidencës thuhet se gjatë punimeve të Forumit, Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me homologë nga vende të ndryshme të botës, me qëllim forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.
Forumi Diplomatik i Antalisë është një platformë e nivelit të lartë, që mbledh liderë shtetesh, diplomatë të rangut të lartë dhe ekspertë nga mbarë bota, për të diskutuar çështje kyçe të sigurisë, politikës së jashtme dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. / Gazeta Enigma.