Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar pasi që vendi është në prag të 14 vjetorit të Ditës së Pavarësisë , të martën ajo ka pranuar një letër urimi nga Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, raporton Gazeta Enigma,
Në letër Biden shkruan se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm gjatë këtyre 14 viteve dhe e ka falënderuar Osmanin që e ka ndarë Medaljen Presidenciale post-mortem për djalin e tij, Beau.
Presidenti amerikan, po ashtu ka folur për dialogun Kosovë-Serbi ku tha se amerikanët përkrahin çdo përpjekje për normalizim të marrëdhënieve dhe njohjes reciproke.
Biden ka shtuar se Kosova ka treguar lidership në skenën ndërkombëtare duke vendosur trupa ushtarake në Kuvajt së bashku me amerikanët dhe duke pranuar refugjatët afganë.
Osmani ka thënë se është e lumtur që ka pranuar letrën nga Biden në të cilën potencohet përkrahja e fuqishme e SHBA-së për Kosovën.
“Jam e lumtur ta ndaj me ju urimin e Presidentit Biden për ditën e pavarësisë së Kosovës – 17 shkurtin, në të cilin ai potencon se Shtetet e Bashkuara mbesin partner i palëkundur i Kosovës”, ka shkruar ajo.
Osmani ka komentuar letrën e Biden duke cekur pikat ku ai thotë se Kosova ka treguar lidership në skenën ndërkombëtare.
“Presidenti Biden në këtë urim, duartroket punën dhe përkushtimin tonë për forcimin e demokracisë dhe në luftën kundër krimit e korrupsionit, teksa kërkon që dialogu të përqendrohet në njohje reciproke. Sipas tij, në Samitin për Demokraci, Kosova ka dëshmuar se është e gatshme ta ndajë përvojën me shtete të tjera, ndaj thekson se gjatë këtij viti Kosova vazhdimisht ka treguar lidership në arenën ndërkombëtare. Në urimin e tij, Presidenti Biden ka përsëritur faktin e lidhjes së veçantë, të cilën familja Biden e ka me vendin tonë. Kosova është e bekuar ta ketë në krah aleatin e saj të përhershëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Zoti e bekoftë miqësinë e Kosovës me ShBA-të!”, përfundoi ajo./Gazeta Enigma/