Presidentja Osmani mirëpret ambasadorin amerikan Hovenier: Kosova është e bekuar që e ka SHBA-në pranë

Presidentja Osmani mirëpret ambasadorin amerikan Hovenier: Kosova është e bekuar që e ka SHBA-në pranë

Presidentja Vjosa Osmani e ka pritur ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier.



Osmani u shpreh e kënaqur për ta mirëpritur në Kosovë ambasadorin e ri, duke e siguruar se “nuk do të gjeni asnjëherë aleat më të përkushtuar dhe më besnik sesa Republika e Kosovës”

“Kam kënaqësinë e veçantë që sot t’ua prezantoj ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës, z. Jeff Hovenier. Në një kohë shumë të rëndësishme për të dy vendet tona, si në rrafshin individual, e po ashtu në rrafshin bilateral, është kënaqësi ta mirëpres sot në Prishtinë një person si ambasadori Hovenier, i cili është shumë i afërt me Republikën e Kosovës sepse ka shërbyer këtu më herët dhe i kupton shumë mirë dinamikat në vendin tonë”, tha Osmani.

Ajo tha se Kosova ka ndryshuar prej asaj të cilën e kujton ambasadori amerikan, pasi sipas saj, ka ecur përpara.

“Mirëpo një gjë ka qëndruar konsistente gjatë gjithë kësaj kohe. Kjo është marrëdhënia dhe partneriteti e miqësia jonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Osmani.

Ajo tha se Kosova është e bekuar që e ka SHBA-në pranë.

Hovenier është diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Në një seancë dëgjimore para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë në tetor të vitit të kaluar, Hovenier ka thënë se, nëse konfirmohet në postin e ambasadorit, ai do ta ketë prioritet vazhdimin e mbështetjes amerikane për një Kosovë sovrane e demokratike.

Ai po ashtu ka thënë se do ta inkurajojë Kosovën për konstruktivitet dhe fleksibilitet në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Hovenier është nominuar për ambasador në Kosovë në muajin korrik, nga presidenti amerikan, Joe Biden. /Gazeta “Enigma”/

Related Articles