Më 3 prill, pritet që qytetarët e Serbisë t’i drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare, ndërkohë që ende mbetet e paqartë nëse do t’u lejohet votimi serbëve të Kosovës, shkruan Gazeta “Enigma”.
Teksa kjo datë po afron, po shtohet edhe presioni i ndërkombëtarëve ndaj ekzekutivit kosovar, konkretisht kryeministrin Albin Kurti, për ta lejuar votimin e serbëve të Kosovës.
Në kuadër të presionit që po i bëhet qeverisë, vlerësohet të ketë ardhur edhe telefonata e dytë në më pak se një muaj e këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet kundrejt kryeministrit Albin Kurti.
Dy ditë më parë Chollet tha se pati “bisedë të mirë” me Kurtin, ndërsa përmendi rëndësinë që votuesit në Kosovë me të drejtë vote “të mund të marrin pjesë në zgjedhje”
Rreth një muaj më parë, më 18 shkurt, kryeministri Kurti kishte njoftuar edhe për një bisedë telefonike me Chollet për të njëjtën çështje.
“Zbutja e lehtë” e Kurtit
E ndryshe prej deklarimeve të mëhershme kur Kurti shprehej kundër lejimit të mbajtjen së zgjedhjeve në Kosovë, ai ditë më parë tha është në kontakt me ambasadat e vendeve të QUINT-it dhe me Bashkimit Evropian, që të gjendet një zgjidhje për serbët e Kosovës që duan të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 3 prillit në Serbi.
Kurti theksoi po mundohen të gjejnë një zgjidhje e cila nuk shkel të drejtat por edhe nuk shkelet shtetësia dhe kushtetutshmëria e Kosovës.
“Konsiderojnë që në njërën anë nuk duhet që t’ua pamundësojnë serbëve në Kosovë ta kenë të drejtën e votës por në anën tjetër kushtetutshmëria dhe ligji në Kosovës neve na e obligon bazën e çfarëdo zgjidhje që do marrin në të ardhmen. Jemi në bisedime me ambasadorët e QUINT-it në mënyrë që të shohim se çfarë zgjidhje mund të gjejmë”, tha ai.
Ndërkohë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se zgjedhjet serbe të 3 prillit do të mbahen edhe në Kosovë.
Ai ka paralajmëruar “pasoja”, nëse ato pengohen nga autoritetet e Prishtinës. “Shpresoj që të mos ndërhyjë dikush në votimin e serbëve në Kosovë dhe po ashtu shpresoj që dikush do ta kuptojë, se cilat do të ishin pasojat nëse ndërhyn”, citohet të ketë thënë Vuçiq.
“Të respektohen praktikat e vendeve të Evropës”
Ish kreu i LDK-së, Isa Mustafa në një deklarim për Gazetën “Enigma”, teksa foli për mundësinë e votimit të serbëve në Kosovë tha se “duhet të respektohen praktikat e vendeve tjera në Evropë”.
Po ashtu ai u shpreh se pikërisht mbajtja e zgjedhjeve në Serbi më 3 prill, e pamundëson zhbllokimin e dialogut. “Serbia është në prag të zgjedhjeve dhe nuk i përgjigjet të dialogojë tani”, tha ai.
Në anën tjetër deputetja e opozitës, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta jap qëndrimin e qartë nëse do t’i lejojë të mbahen zgjedhjet e Serbisë edhe në Kosovë.
Ajo ka thënë se institucionet e Kosovës duhet t’i respektojnë ligjet e Kosovës dhe Kushtetutën.
“Kemi pas një seancë të jashtëzakonshme për çështjen e referendumit, edhe atëherë Qeveria ka pas kompetencat, dhe ka kërkuar përkrahjen e deputetëve. Ajo çka duhet të bëjë është ta respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, është shprehur ajo.
“Lejimi i votimit në Kosovë, cenon territorin e vendit”
Drejtori i institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj, vlerëson se institucionet e Republikës së Kosovës me të drejtë kanë pasur qëndrim të prerë për të mos lejuar organizimin e referendumit serb në territorin e Republikës së Kosovës, pasi një gjë e tillë siç është lejimi i organizimit të referendumit serb në Kosovë, do të mund të ndërlidhej drejtpërdrejt edhe si ushtrim i sovranitetit të Republikës së Serbisë në territorin e Kosovës.
“Organizimi i zgjedhjeve nacionale në bazë të kushteve të përcaktuara nga Republika e Kosovës, për shtetasit e Republikës së Kosovës nga komuniteti serb, dallon skajshmërisht nga referendumi, dhe një gjë e tillë do të duhej të konsiderohej nga institucionet e Republikës së Kosovës. Kjo duke u bazuar edhe në kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë më theks të veçantë të State-Departmentit Amerikan’, ka thënë Miftaraj.
Kujtojmë se më 16 janar të këtij viti, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, nuk ka lejuar që serbët e Kosovës të votojnë në referendumin serb për ndryshimet kushtetuese në Serbi. / Gazeta Enigma.