Komuna e Prishtinës ka marrë një vendim të ri.
Qytetarët të cilët udhëtojnë nga qytetet e tjera për në Prishtinë përmes “Stacionit të Autobusëve”, do të mund ta shfrytëzojnë biletën e tyre ndërurbane edhe për transportin urban në kryeqytet.
Kështu ka njoftuar kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, duke theksuar se ky vendim hyn në fuqi nga sot, 17 mars.
Siç ka bërë të ditur Rama në Facebook, ky vendim është marrë me qëllim që brenda Prishtinës të ketë më pak vetura dhe trafik e më shumë organizim dhe siguri.
“Ky vendim ndodh për herë të parë në historinë e transportit urban në Kryeqytet dhe është pjesë e reformës së transportit publik urban, që shënon një hap të madh në përmirësimin e shërbimeve publike. Vendimi hyn në fuqi nga sot, më datë 17.03.2025. Ky është edhe një hap tjetër i rëndësishëm në procesin e reformës për transportin publik në Kryeqytet, nga i cili do të përfitojnë edhe qytetarët e Kryeqytetit. Me këtë organizim të ri të transportit publik, Kryeqyteti do të ketë më pak vetura, më pak trafik, më pak ndotje ambientale dhe më shumë organizim dhe siguri”, ka shkruar Rama. /Gazeta Enigma