Pritje që s’shuhet kurrë, ‘Zonja e hekurt’ rrëfen përjetimet e saj për Gazetën “Enigma”

<strong>Pritje që s’shuhet kurrë, ‘Zonja e hekurt’ rrëfen përjetimet e saj për Gazetën “Enigma”</strong>

Gazeta “Enigma” sjell rrëfimin rrëqethës të Ferdonije Qerkezit, apo të njohur si ‘Nëna Ferdonije’ e cila gjatë luftës së Serbisë në Kosovë, ajo humbi bashkëshortin, dhe katër djemve të saj.

Plagët e luftës për shumë familje kosovare ende nuk janë mbyllur. Tash e 24 vite ende nuk dihet për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit, shkruan Gazeta “Enigma”.

E kjo temë ende sillet në tryezën e diskutimeve midis Serbisë dhe Kosovës, por ende pa ndonjë veprim konkret për zbardhjen e fatit të tyre.

Nëna Ferdonije pret pothuajse çdo ditë që të mësoj të vërtetën për më të dashurit e saj.

“Zonja e hekurt” 27 marsin e vitit 1999 e kujton me plotë dhimbje e lot.

Pushteti kriminal serb, tentoi të mbyllte përgjithmonë derën e shtëpisë së Halimit, megjithatë zonja e kësaj shtëpie, e mbanë gjallë shtëpinë me kujtimet e tyre.

Ajo ditën e nis dhe e përfundon me fotografitë, veshmbathjet, testet shkollore të familjarëve të saj.

Njëra nga gratë më të forta të historisë shqiptare, nëna Ferdonije ndryshe njihet edhe si “Zonja e hekurt”, por nga çka e gjen gjithë këtë forcë ajo?

“Vullnetin e gjej te zoti, te vetja edhe te populli që më kanë përkrah”, rrëfen nëna Ferdonije për Gazetën “Enigmën”.

“Zonja e hekurt” jeton me shpresën se do t’i gjej trupat e më të dashurve të saj. “Po, unë jetoj me shpresën se do t’i gjej edhe trupat e bashkëshortit Halimit edhe të djemve Armendit dhe Ardianit”, ka theksuar ajo.

Tutje ajo ka rrëfyer se kujtimi që ka më për zemër janë martesat e djemve të saj. “Disa nga kujtimet më të bukura e kam martesën e djemve, Artanit edhe Armendit”, ka deklaruar nëna Ferdonije për “Enigmën”.

Në pyetjen tonë se a beson ajo që Serbia do të dënohet ndonjëherë për krimet e kryera në Kosovë, ajo ka dy fjalë për ti thënë.

“Unë besoj që do të vjen dita që Serbia do ta merr dënimin e merituar sepse “krimi kurrë nuk plaket!””, ka thënë ajo.

Nëna Ferdonije ka shumë vizita nga krerë të ndryshëm, por ajo për “Enigmën” tregon se cili ishte mesazhi që e ka impresionuar më së shumti.

“Më së shumti më ka impresionuar fjala e ish presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiut, “rrno për me tregu!””, ka deklaruar ajo.

Kohëve të fundit temë diskutimi në vendin tonë është marrëveshja finale me Serbinë, por cili është kushti sipas nënë Ferdonijes për të arritur një marrëveshje të tillë. “Më mirë s’po përgjigjem fare”, thotë ajo.

“Zonja e hekurt” ka një mesazh për të gjitha nënat, gratë, vajzat e fëmijët që ende janë me sy kah dera për më të dashurit e tyre.

“Mesazhi im për të gjitha gratë është që ato me u bë të forta, mos me dorëzua derisa të marrim një lajm çfarëdo qoftë ai!”, ka përfunduar ajo.

Kujtojmë se gjatë gjithë këtyre viteve janë mbledhur prova e dëshmi të ndryshe, porse ende nuk është arritur të ndriçohet fati i tyre.

/GAZETA ENIGMA/

Related Articles