Intervistë ekskluzive me ‘shpuesin e rrjetave të SC Gjilanit” – Gerhard Progni, flet për rivalët, klubin dhe synimet e kuq e bardhëve

Intervistë ekskluzive me ‘shpuesin e rrjetave të SC Gjilanit” – Gerhard Progni, flet për rivalët, klubin dhe synimet e kuq e bardhëve

Futbollisti i SC Gjilanit, Gerhard Progni, golashënuesi më i mirë BKT Superligës së Kosovës në Futboll në edicionin vjeshtor të Kampionatit 2021/2022, ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetën Enigma. Ai ka folur për ndjenjën e top-golashënuesit, synimet individuale dhe të kuq e bardhëve. Po ashtu 7-shi i Gjilanit, ka përmendur edhe skuadrat pretendente që mund t’ia rrezikojnë kreun e tabelës klubit të tij që u shpall kampion vjeshtor.

Nga 18 ndeshje 12 gola, efikasitet që ju bëri lojtarin me më së shumti realizime. Kjo është e natyrshme të jetë një ndjenjë e veçantë, por cili është përshkrimi juaj për ndjesinë e të qenurit realizatori nr.1 në një kompeticion, çka e bënë aq të veçantë ndjenjën e realizimeve të golave?

“Natyrisht se ndihem mirë, jo vetëm për numrin e golave, por edhe për rëndësinë e tyre, pasi që kam ndihmuar ekipin të jetë në maja të objektivave dhe kjo është gjëja të cilën synoj ta bëj vazhdimisht. Detyra ime është që ta ndihmoj ekipin sa më shumë, qoftë me gola, me asiste dhe me gjithçka tjetër. Ndjehem i nderuar dhe i vlerësuar që mora çmimin e golashënuesit të vitit”.

Gerhard Progni, futbollist i SC Gjilani

A i keni realizuar synimet që i keni dhënë vetes në fillim të kampionatit, pasi publikisht jeni deklaruar që parësore do të jetë ndihma ekipit. I referohem gjithnjë këtij sezoni të edicionit 2021/2022?


“Normalisht, siç e thashë edhe më lartë që synimi kryesor është ta ndihmoj ekipin, pastaj vijnë edhe objektivat personale. Synimet do i realizojmë vetëm në fund të kampionatit, pasi që kemi bërë vetëm gjysmën e punës dhe duhet ta kryejmë edhe gjysmën tjetër”.

A jeni i kënaqur me paraqitjet tuaja dhe kontributin e përgjithshëm te SC Gjilani, apo keni pasur ambicie për më shumë?


“Jam munduar të jap gjithmonë më të mirën e mundshme, por ndjej që kam bërë maksimumin që klubi të ishte aty ku e meritonte një kohë të gjatë, të mbyllte vitin në vendin e parë”.

Si ndihet një futbollist profesionist kur arrinë të shënoj gola vendimtar që rezultojnë me inkasim të pikëve për klubin, dhe vëren që bashkëlojtarët, stafi e publiku ju respektojnë maksimalisht, dhe ju e dini mirëfilli që është respekt i merituar e jo sa për kurtoazi?

“Ndjehem shumë mirë. Më bëhet qefi së pari për ekipin, stafin dhe gjithë çunat, pasi që gjithësecili po jep gjithçka nga vetja që të arrijmë objektivat këtë sezonë të cilat i ka vendosur dhe të cilat i meriton t’i arrijë, kjo edhe për shkak të investimeve të shumta dhe korrektësisë maksimale të presidentit të klubit”.

Gerhard Progni, laureat i çmimit – Golëshënuesi më i mirë 2021 në BKT Superligën e Kosovës në Futboll

Të jesh i pari në listën e realizatorëve në gjysmë të rrugës sigurisht është sfidë pasi ata që janë një hap prapa, presin çdo ‘lëshim’ tuaj për t’ua “rrëmbyer” lidershipin. A besoni që do të arrini ta ruani nivelin në pranverë, si atë të efikasitetit ashtu edhe nivelin e paraqitjeve të mira?

“Ju thash që primare e kam të ndihmoj ekipin. Përderisa ekipi të jetë mirë, nuk kanë rëndësi shifrat individuale. Do të vazhdoj të bëj maksimumin e mundur, qoftë me shënimin e golave, apo dhënien e asisteve për bashkëlojtarët edhe në pranverë”.

SC Gjilanin a e shihni që potencialisht me këtë fond lojtarësh do të arrijë të ruaj përparsinë dhe të bëhet kampion apo duhet ndryshuar diçka. Nëse duhet ndryshuar diçka – cka?

“Kemi një grup shumë të fortë dhe me karakter. Kjo ka bërë që ne të arrijmë të riktheheshim në disa ndeshje këtë edicion, madje edhe me 10 futbollistë. Kemi skuadër aq të fortë sa t’i arrijmë objektivat këtë sezonë”.

Nga kush prisni që SC Gjilani do të sfidohet më së shumti në sezonin pranveror, Ballkani, Drita apo ndonjë skuadër tjetër?

“Kampionati është shumë i fortë këtë edicion dhe skuadrat janë aty afër nesh. Nuk do të veçoja një apo dy skuadra. Ka ekipe shumë të mira dhe cilësore që mund të na sfidojnë. Po aty janë, edhe Drita edhe Ballkani. Janë dy skuadra cilësore dhe për t’u vlerësuar. Nuk kanë dallim të madh njëra me tjetrën sa të vëjmë përpara njërën apo tjetrin ekip”.

Pamje nga ndeshja Ballkani 0-1 Gjilani, realizator Gerhard Progni

Prishtina a mendoni se mund të bëjë atë që njihet si mrekulli në futboll, e që e bëri një vit më parë, thuajse nga një situatë e ngjashme në tabelën vjeshtore?

“Prishtina ka një skuadër shumë të mirë gjithashtu, por që ka ngecur pak prapa. Kampionati do jetë interesant edhe në pranverë, por nuk e besoj që do të ketë “Déjà vu”, pasi që skuadrat janë më të vendosura dhe nuk do të lejojnë lëshime aq të mëdha, sidomos këto që janë në kreun e tabelës”.

Në derbin lokal SC Gjilani ka shënuar dy herë fitore që e ka bërë dallimin në pikë. Po të shënonte vetëm një herë dhe herën tjetër Drita, rivali lokal i qytetit do të ishte kampion vjeshtor. A mendoni që në pranverë do të arrini të jeni poaq produktiv, veçmas në raport me rivalin lokal, e pastaj edhe me pretendentët tjerë që ju ndjekin hap pas hapi?


“Ne luajmë në çdo ndeshje për fitore, pasi që vetëm fitoret na mbajnë afër objektivit. Fitoret në derbi gjithmonë janë më të rëndësishme dhe kanë peshën e tyre. Edhe në pranverë do luftojmë, sikurse në vjeshtë për ta rifituar derbin, jo vetëm ndaj Dritës, por ndaj gjithë konkurentëve tanë”.

Progni në një nga paraqitjet e tij te SC gjilani

Të kalojmë në rrafshin tjetër. Shqipëria dhe Kosova në synimet kualifikuese, qoftë për europian apo botërorë, a besoni që së shpejt do t’ia dalin dhe do t’i shohim në ato kompeticione?


“Për momentin dy përfaqësueset po kalojnë në një fazë tranzicioni me futbollistë të rinj dhe kjo normalisht që kërkon pak kohë. Sikurse te Shqipëria, po ashtu edhe te Kosova po vijnë futbollistë shumë cilësorë, të cilët edhe po e bëjnë diferencën. Shpresoj që në një të ardhme të afërt t’i shohim në ndonjë kompeticion madhor”.

Kush nga lojtarët e Kombëtares kuqezi të ka impresionuar këtë vit që po e lëmë pas, e kush nga Kosova, së paku nga një emër?


“Te Shqipëria mund të themi Armando Broja, pasi që ka patur paraqitje të mira edhe me ekipin e Sauthamptonit. Mirë kanë qenë edhe Kumbulla e Gjimshiti dhe janë për t’u vlerësuar. Te Kosova për t’u veçuar mund të them Amir Rrahmani, pasi që po ashtu ka patur paraqitje të mira, si me Kosovën, ashtu edhe me Napolin”.

Në fund, kujt ia uroni Vitin e Ri 2022 fillimisht, dhe çka i dëshironi? 

“Urime gjithë shqiptarëve anë e mbanë botës, familjes, rrethit dhe shoqërisë. Bashkëlojtarëve të klubit, stafit, presidencës dhe gjithë tifozëve tanë të cilët me padurim po e presin vitin 2022. Uroj që viti pasues të jetë edhe më i mirë se ky që po e lëmë pas. Gëzuar!”

Related Articles