Të martën, Prokuroria Speciale e Kosovës, dha detaje lidhur me gjetjet e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës për rastin e vdekjes së Astrit Dehari, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ndonëse raporti ende nuk është publik, nga Prokuroria thanë se Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës ka konstatuar se objektet që u gjetën afër Astrit Deharit në momentin e afërta të vdekjes kanë përmbajtur vetëm profil të ADN-së së tij.
Bëhet fjalë për një brisk rroje, një stilolaps të lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali. Ky Institut, sipas njoftimit të prokurorisë, nuk ka rekomanduar zhvarrosjen e trupit të Deharit për ri-ekzaminim, pasi sipas tyre ka kaluar kohë nga ngjarja.
Po ashtu në raportin e Institutit zviceran bëhet e ditur se nga analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit është treguar prani e kafeinës dhe mos prani e etanolit.
“Analizat e AND-së, nga objektet që kanë qenë në kontakt me të ndjerin, Astrit Dehari, në momente të afërta me vdekjen, (brisk rroje, stilolaps i lidhur me një lidhëse këpucësh dhe një pjesë metali, nuk kanë treguar profil të AND-së për veç të atij, Astrit Dehari. Po ashtu Analizat toksikologjike plotësuese të gjakut periferik të Astrit Deharit, kanë treguar praninë kafeines dhe mos prani të etanolit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Sa i përket ekshumimit të trupit të të ndjerit, nga Prokuroria kanë theksuar se nuk ka rekomandim në ekspertizë dhe e njëjta nuk është rekomanduar që të ri ekzaminohet trupi duke pasur parasysh se sa kohë ka kaluar.
Ky raport sot do t’u dërgohet avokatit dhe familjes së Astrit Deharit.
Nga Prokuroria mes tjerash kanë theksuar se bazuar në të gjeturat e këtij raporti, Prokuroria do të vazhdojë me hetimin e këtij rasti dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. “Gjithashtu, Prokuroria Speciale siguron familjen Dehari dhe opinionin publik se në bazë të kompetencave dhe autorizimeve kushtetuese dhe ligjore do të zhvillojë hetime profesionale deri në zbardhjen e plotë të këtij rasti”, thuhet në njoftim.
Avokati Gashi: Prokuroria Speciale duhet ta tregojë të vërtetën për rastin Dehari
Por me formën sesi Prokuroria Speciale i interpretoi të gjeturat e raportit zviceran për rastin e Deharit, nuk është pajtuar avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi.
Avokati Tomë Gashi ka thënë se në këtë rast Prokuroria Speciale duhet ta tregoj të vërtetën, pa manipulime.
Gashi ka theksuar gjithashtu se Prokuroria Speciale këtë ekspertizë e ka pranuar para 12 ditëve.
“Prokuroria për të mos e manipuluar opinionin do të duhet fillimisht të tregoj se a kanë marrë gjurmë të ADN- së nga të burgosurit që kanë qenë në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 05.11.2016, a kanë marrë gjurmë të ADN- së i gjithë stafi i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, a kanë marrë gjurmë të ADN-së nga ana e gardianëve dhe policëve të cilët Astrit Deharin e kanë nxjerrë të gjallë – me shenja jete e nga Qendra e Paraburgimit në Prizren dhe të vdekur – pa shenja jete e kanë dërguar në spitalin rajonal të Prizrenit”, ka shkruar Gashi për Enigmën.
Avokati Gashi më tej ka theksuar se rasti i vrasjes së Astrit Deharit nuk do të duhet të keqpërdorej nga askush dhe më së paku nga Prokuroria Speciale.
Ndërkohë, babai i të ndjerit, Avni Dehari i ka thënë Gazetës “Enigma”, se vet nuk mund të deklarohet për këtë raport, teksa ka thënë se presin rezultatet e njëjta si të ekspertizës së parë.
Çka dihet deri më tani për vdekjen e Astrit Deharit?
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari u gjet i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor 2016.
Kryeprokurori i rastit, tashmë në pension, Sylë Hoxha, pati thënë se Dehari ishte dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e Prizrenit, ndërkaq drejtori i këtij Spitali Afrim Avdaj, kishte konfirmuar se Dehari ishte pa shenja jete kur u pranua në spital dhe kishte gërvishje në qafë e duar.
Drejtori i Policisë për rajonin e Prizrenit Nexhmi Krasniqi, kishte deklaruar se si shkak i konsumimit të barnave, Astrit Dehari kishte rënë në gjendje kome dhe gjatë rrugës për në emergjencë kishte vdekur.
Por si shkak i deklaratave kontradiktore të institucioneve, familja e të ndjerit kishin kërkuar që autopsia e trupit të djalit të tyre të mos bëhet pa prezencën e mjekëve të pavarur që do të caktohen nga familja. Ekspertiza është bërë nga Qendra e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Zvicër dhe kjo që është zbuluar sot (12 prill), është ekspertizë shtesë. / Gazeta Enigma.