Pas Prokurorit të Specializuar, Jack Smith, prokurorja Silvia D’Ascoli mori fjalën dhe tha se provat e paraqitura në gjykim provojnë se Salih Mustafa është përgjegjës përtej dyshimit të arsyeshëm për të gjitha krimet e akuzuara në katër pikat e aktakuzës.
Ajo tha se gjatë gjithë gjykimit janë dëgjuar viktima e dëshmitarë që me fjalë të thjeshta, por bindëse, treguan se si gjatë luftës në Kosovë nga 1 prill 1999 deri në 19 prill 1999 u dërguan në Zllash dhe u mbajtën në mënyrë të paligjshme në kompleks. Ajo tha se dëshmitarët treguan se si qëndruan në kushte të tmerrshme, u dëgjua se si abuzoheshin, rriheshin dhe torturoheshin nga mbajtësit e tyre.
Ajo tha se historitë e tyre ishin të forta, të ngjashme me njëra tjetrën dhe vërtetonin njëra tjetrën, provonin të gjitha elementet e krimeve në aktakuzë dhe përgjegjësinë e të akuzuarit për ato krime.
“Krimet kanë ndodhur në Zllash siç e dimë, një fshat i vogël i thellë që ndodhet në rajonin e Gollakut, në lindje të Prishtinës. Harta që shihni në ekran, përshkruan Zllashin në lidhje me Prishtinën. Është rreth 20 km rrugë nga Prishtina. Në prill 1999, fshati i Zllashit përbëhej nga disa grupe shtëpish të shpërndara”, tha ajo.
Tutje, treguan fotografi ajrore të kompleksit, për të cilat tha se ishin të izoluara, rrethuara me pemë.
Ajo tha se ky kompleks drejtohej nga BIA që komandohej nga Salih Mustafa, që njihej si komandant Cali.
“Siç dëgjuam gjatë gjykimit, ky kompleks që ZPS e ka quajtur kompleks të ndalimit, njihet si baza e Skifterëve apo baza e Skifterave. Njësia BIA e komanduar nga i akuzuari në fakt njihej si Skifterët. BIA e përdorte këtë vend si një nga bazat e veta. Salih Mustafa si komandant i BIA-së përgjigjej dhe kontrollonte kompleksin dhe ushtarët e BIA-së që ndodheshin aty. Disa ndërtesa kanë rëndësi të veçantë për këtë çështje pasi janë përdorur për të ndaluar, torturuar, marrë një pyetje civilë të Kosovës”, tha ajo.
Tutje, tha se viktimat ishin të gjithë kosovarë, shqiptarë të Kosovës, civilë dhe se asnjëri nuk merrte pjesë aktive në luftime në kohën e arrestimit, keqtrajtimit apo në rastin njërit të vrarë. Ajo tha se askush prej tyre ndihmoi forcat serbe në ndonjë mënyrë
“U arrestuan, u rrëmbyen, u dërguan në fshatin Zllash dhe u mbajtën të ndaluar. Asnjë dokument arrestimi nuk u është dhënë, nuk dhanë arsyet se pse janë mbajtur të ndaluar përveç akuzave pabazë se ishin hajdutë, spiunë, bashkëpunëtorë të serbëve, asnjë provë nuk u paraqit në gjyq që ishin spiun”, tha ajo.
Sipas saj, viktimat përshkruan se i mbanin në një stallë, vend që përdorej për të mbajtur bagëtitë, si dhe në dhomën sipër ku merreshin në pyetje dhe rriheshin.
Ajo më pas tregoi fotografi të këtyre ndërtesave, që u bënë të njohura dhe për publikun.
Tutje ajo tha se provat vërtetojnë se viktimat janë mbajtur të ndaluar dhe se gjatë ndalimit viktimat rriheshin, keqtrajtoheshin, torturoheshin pothuajse çdo ditë, si në stallë, si në dhomën e marrjes në pyetje.
D’Ascoli tha se në stallë keqtrajtimi ndodhte para të tjerëve, çka ngjallte frikë.
Sipas saj, kur dërgoheshin lartë të ndaluarit, merreshin një nga një, merreshin në pyetje, e pastaj rriheshin e torturoheshin.
Tutje, tha se keqtrajtoheshin edhe psiqikisht, ku ushtarët hynin aty dhe u tregonin të ndaluarve të tjerë trupin e rrahur shumë të një viktime, që më pas u gjet i vrarë.
“Viktimat detyroheshin të fshiheshin në shesh në këtë stallë kafshësh, nuk u jepej ushqim e ujë, mbaheshin në kushte të tmerrshme jo sanitare”, tha ajo, duke shtuar se nuk u jepej kujdes mjekësor.
Ajo tha se provat vërtetojnë se Mustafa mori pjesë në keqtrajtim dhe mbikëqyrje në këtë kompleks.
Sipas saj, një i ndaluar u mor në pyetje nga Mustafa, i bërtiti, e mallkoi, e rrahu para se ta linte në duart e ushtarëve që e rrahën derisa humbi vetëdijen.
Tutje ajo tha se Mustafa mori pjesë edhe në keqtrajtimin e një tjetri, e që ndodhi pak kohë para se u dërgua në kompleks dhe e dërguan në stallë, ku më pas sipas saj, e dërguan në një ndërtesë tjetër, ku e rrahën egërsisht, me grushte e shkelma.
“E shanin e akuzonin se ishte bashkëpunëtorë i serbëve. Rrahjet që vazhduan për kohë të gjatë, kur një burrë me kapelë të kuqe që ishte i pranishëm gjatë rrahjes, që dëshmitari e identifikoi se i akuzuari, nxori një revolver, ia vuri në kokë dëshmitarit dhe e shkrepi, arma bëri zhurmë, por nuk shtiu dhe i akuzuari tha lëreni, qenka me fat. E mori më pas i akuzuari në pyetje një javë më pas, i akuzuari njihej nga bereta e kuqe, i bëri pyetje për hajdut dhe e rrahu më pas me shkop bejsbolli”, tha prokurorja.
Ajo tha se provat e dhëna nga dëshmitarët vërtetojnë të gjitha elementet për provat në aktakuzë përtej dyshimit të arsyeshëm.
“Siç e dimë Mustafa është intervistuar nga ZPS si i dyshuar, ka pasur avokat të pranishëm gjatë intervistimit dhe është këshilluar për të drejtat e tij, përfshirë të drejtën për të mos folur. Le të transmetojmë një sekuencë të shkurtër të intervistës”, tha ajo, ku më pas ishte pjesa e intervistës, ku Mustafa thoshte se deklaratën po e jep në mënyrë vullnetare.
Ajo tha se kur vlerësohet intervista e Mustafës me ZPS dhe provat në çështje, do të shihet se ai u mundua të ecte në shteg të kujdesshëm.
“Ai ndoqi një linjë të kujdesshme ndërmjet të dukurit kredibël dhe ndërmjet mospranimit të përgjegjësisë penale. Pranoi çka duhet të pranonte dhe mohoi çdo gjë që duhet të mohonte për mospranim përgjegjësia. Pranoi faktin se ka qenë në kompleksin e Zllashit gjatë kohës kur janë kryer krimet, pranoi se ishte përgjegjës për BIA-në, konfirmoi identitetin e anëtarëve konkret të BIA-së dhe në mënyrë domethënëse janë përmendur edhe ushtarët që janë përmendur nga viktimat që kanë marrë pjesë në rrahjet dhe keqtrajtimet e tyre. Madje e pranoi se ka dëgjuar thashetheme për civil të ndaluar në Zllash”, tha D’Ascoli.
Tutje, tha se ai tha se pranimet e tij janë më domethënëse se që e ka menduar Mustafa në atë kohë, por jo vetëm kaq e mbështesin dhe viktimat.
“Së pari, i akuzuari ka bërë pranime të rëndësishme që kanë të bëjnë me kohën dhe vendin që lidhet me akuzat në aktakuzë. Pranoi se ka qenë në Zllash gjatë periudhës së aktakuzës, filloi duke shpjeguar se nga 25 mars deri me 2 prill 1999 ka qëndruar në Zllash, ka fjetur aty gjatë natës, dy ose tri herë për disa netë. Ai thotë që është larguar nga Zllashi, në një pikë të caktuar kohe, nga 12 deri 14 prill 1999 dhe konfirmon se ka qenë i pranishëm në Zllash para kësaj date”, tha ajo.
Tutje, deklaroi se i akuzuari pranon praninë e tij jo vetëm në Zllash, por konkretisht në kompleksin e ndalimit në Zllash.
“Ai konfirmoi se disa ushtarë të BIA-së qëndronin në Zllash dhe se përdornin një shtëpi të sigurt, kompleksin që pamë në ekran dhe kompleksin që i referohet ZPS si vendi i ndalimit në Zllash”, tha ajo, duke thënë se pohimet e tij përkojnë njëra me tjetrën dhe me të dhënat që kanë dhënë dëshmitarë.
Sipas prokurores, i akuzuari tregon kujdes gjatë deklaratës që jep, i cili mundohet të pohoj aq sa duhet të pohoj sepse e dinte se qendra e ndalimit nuk ishte sekret, por se mohonte se ai kishte të bënte me ndalimin e civilëve.
“Ajo që vërtetohet është se disa prej civilëve përfshirë viktimën akuzoheshin se ishin hajdut dhe pjesa më e madhe janë liruar me 18 prill, ndërkohë që afrohej ofensiva serbe”, tha ajo.
Ajo tha se i akuzuari ka pranuar se personi me nofkën Tabuti ishte anëtar i BIA-së, ku sipas prokurores, kjo nofkë është përmendur nga viktimat.
“Kemi dy ushtarë të tjerë që janë pranuar nga i akuzuari si pjesëtarë të BIA-së, Brahim Mehmetaj dhe Ilmi Vela, apo Vdekja”, tha ajo, duke shtuar se të njëjtit janë përmendur edhe nga viktimat.
Prokurorja tha se viktimat kanë dhënë këto emra pasi kanë qenë në qendrën e ndalimit në Zllash dhe janë persona, emrat e të cilëve i kanë mbajtur në mend, ku njëri dëshmitar e ka njohur edhe fizikisht “Bimin”.
“Ndërkohë që i akuzuari pohon që Bimi ka qenë anëtar i BIA-së, ai ka bërë çdo gjë të mundur për të zbehur rolin, për të mbrojtur atë dhe veten”, tha tha D’Ascoli.
Sipas saj, Mustafa kishte thënë që Bimi nuk ka qëndruar asnjëherë gjatë natës në Zllash.
Ajo më pas tha se Mustafa me Bimin kanë folur një ditë para intervistën së këtij të fundit me ZPS-në, dhe pas intervistës me ZPS, ku në ekran u paraqiten disa dokumente, që sipas prokurores vërtetonin këtë.
Sipas saj, Mustafa përdori të njëjtën strategji me Velën, për të hequr përgjegjësinë edhe nga vetja.
Ajo tha se edhe një person me nofkën Dardani dhe Shyti janë përmendur si anëtarë të BIA-së, ku në ekran tregoi fotografi të Mustafës me personin Dardani dhe tha se Mustafa kishte të regjistruar në telefon numrin e personit Shyti.
Ndërkaq, tha se Mustafa ka pohuar edhe se ka mbajtur kapele të kuqe, ku sipas saj, dëshmitari që u keqtrajtua në Zllash ka identifikuar personin që mban kapelë të kuqe dhe se kur u arrestua Mustafa kishte në kuletë një fotografi me kapelë të kuqe./Betimi për Drejtësi