Promovim i dhunës fizike dhe verbale në formatin Big Brother Kosova – Kthesë e rrezikshme në realitetin televiziv?

Promovim i dhunës fizike dhe verbale në formatin Big Brother Kosova – Kthesë e rrezikshme në realitetin televiziv?


Fyerje, ofendime, e përplasje që pothuajse përfunduan në përleshje fizike, janë disa nga fenomenet negative që shfaqen në edicionin e Big Brother Kosova, në një nga televizionet më të shikuara në Kosovë, shkruan Gazeta Enigma.

Këto por edhe promovimi i substancave narkotike, nga banorët aty, veçmas në edicionin e fundit kanë ngritur alarm në opinionin publik dhe debate të forta mbi ndikimin e këtij formati televiziv në kulturën dhe shoqërinë tonë, shkruan tutje Gazeta Enigma.

Profesorë të Departamentit të Gazetarisë vazhdimisht e kanë ngritur zërin për nevojën e përfshirjes së Edukimit Medial në shkolla, ndonëse një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Gazeta Enigma për këtë dukuri ka adresuar pyetje edhe tek Komisioni i Mediave të Pavarura, për të marrë informata nëse ka nisur ndonjë procedur diciplinore kundrejt televizionit që e prodhon këtë format, por deri në publikimin e artikullit ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Remzie Shahini – Hoxhaj, profesoresha dhe Prodekanja për Projekte në Departamentin e Gazetarisë, vlerëson se reality-show sikur Big Brother janë eksperimente sociale të ngutshme për Kosovën.

“Unë mendoj që Big Brother Vip Kosova ka qenë dhe është një eksperiment i ngutshëm social për Kosovën për shkak të nivelit të demokracisë, lirisë së shprehjes dhe nivelit kulturor. Edhe në edicionet e mëparshme, po ashtu edhe në këtë, po vërehet që gjuha e përdorur po eskalon në dhunë verbale e fizike. Natyrisht, KPM ka monitoruar edhe më herët edicionet e BB dhe ka shqiptuar dënime. Këto masa kanë sjellë deri te ndëshkimi dhe qetësimi i situatës, por jo te vetëdijesimi”, u shpreh profesorsha Shahini-Hoxhaj, për Gazetën Enigma.

Gjithashtu, profesoresha potencoi se personat që pranojnë të jenë pjesë e një formati të tillë kanë përgjegjësi publike në atë se çka servojnë tek audienca.

“Nuk e di nëse personat që marrin pjesë nënshkruajnë ndonjë marrëveshje me produksionin, por do të ishte mirë të kishte një marrëveshje paraprake të nënshkruar nga të gjithë pjesëmarrësit, që mos të thyhen rregullat e lojës. Njerëzit që bëhen pjesë e kësaj loje kanë përgjegjësi publike, aq më shumë kur këto debate përcillen edhe në rrjetet sociale, ku mundësia jonë për t’i monitoruar është shumë e vogël”, është shprehur profesoresha Shahini – Hoxhaj.

Ndër të tjera, Shahini – Hoxhaj rithekson se promovimi i lëndëve narkotike duhet të jetë rreptësishtë i ndaluar.

“Përveq kësaj, promovimi i lëndëve narkotike është rrepsisht i ndaluar, dhe do të duhej të përfshihet në kuadër të kësaj marrëveshje”, përfundoi Shahini – Hoxhaj për Enigmën.

Sociologu Ragip Fetahu në një prononcim për Gazetën Enigma, thekson se mënyra se si pjesëmarrësit e një formati të tillë sillen – kanë efekt direkt tek masa.

“Emisionet televizive apo si njihen ndryshe „Reality Show“, janë bërë pjesë e shoqërisë tonë si në mediat vizive ashtu edhe në rrjetet sociale. Si të tilla, kanë efekt direkt tek të gjithë ndjekësit e emisioneve të tilla. Mënyra se si komunikojnë, apo si sillen, apo edhe çfarë kulture ai fokusgrup pasqyron në publik, me vetëdije të plot e afektojnë masën”, tha Fetahu.

Sociologu vëri në fokus sekuencat ku ka fyerje, dhunë fizike dhe verbale, të cilat sipas tij nuk duhet të transmetohen tek publiku.

“Unë mendoj se sekuencat me sjellje jo etike nuk duhet të plasohen në publik, sepse në shumicën e rasteve janë degraduese dhe jo të përshtatshme sidomos për gjeneratat e reja. Si njohës i rrethanave shoqërore, sygjeroj që të gjitha televizonet publike në Republikën e Kosovës të meren më tepër me problematikat dhe aktualitetin shoqëror dhe zgjidhjen e tyre. E sa më pak emisione që ndikojnë negativisht në moralin e përgjithshëm shoqëror”, përfundoi Fetahu.

Ndërkohë, nga Komisioni i Pavararur i Mediave nuk janë deklaruar për situatat e fundit të krijuara nga banorët e BBVK, ku kanë shfaqur gjuhën e urrejtjes, dhunë verbale e fizike./Gazeta Enigma/

Related Articles