Partia Socialdemokrate, ka vendosur një pankartë me figurën e kryeministrit të vendit, Albin Kurtin i cili duket si “pinokio”, dhe njoftimin për mbajtjen e protestës kundër Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që e ka paralajmëruar kjo parti..
Sekretari Organizativ i PSD-së, Nol Nushi, tha se arsye e këtij aksioni është ftesa për protestën e së shtunës që mbahet në sheshet kryesore të kryeqytetit.
“Është thirrje për protestën e 25 marsit që fillon në Sheshin e “Zahir Pajaziti”. Hunda e gjatë e kryeministrit Kurti është rruga e tij e gjatë e mashtrimit e popullizmit edhe e gënjeshtrës së tij në raport me dialogun me Serbinë.
Nushi tha se marrëveshja e Ohrit, e konfirmon dorëzimin e Kurtit përballë Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Mos të harrojmë duhet me kujtu për ditë, ndalimi i “Zajednicës” përgjatë 10 viteve ka ndodhur me sakrifica të mëdha , qindra ditë burg të aktivisteve, kanë vdekur njerëz, janë arrestuar njerëz, janë shpenzuar kohë, mjete për ta bërë atë rezistencë që për 10 vite të mos formohet Asociacioni. Marrëveshja e Ohrit na konfirmoi që Kurti është dorëzuar”, u shpreh ai.
Duke folur për protestën e së shtunës, Nushi kërkoi që t’i bashkohen edhe anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët i konsideron si të mashtruar nga Kurti.
“Unë pres që pjesë e protestës më së shumti të jenë anëtarët e VV-së sepse ata janë më të mashtruarit, ata e kanë votuar udhëheqësin e tyre për me i ndalë këto konvenime ndaj Serbisë”, tha në Nushi.