Partia Socialdemokrate ka reaguar për draftin e publikuar mbi Ligjin e Pagave, duke thënë se drafti reflekton si politikat e devijuara të Qeverisë Kurti.
Përmes një komunikate për media, PSD thotë se ky draft e rrit pabarazinë dhe diskriminon punonjësit në nevojë.
“Drafti i publikuar mbi Ligjin e Pagave reflekton politikat e devijuara të Qeverisë. Dy gjëra e karakterizojnë atë: rritja e hendekut midis pozitave politike ekzekutive dhe stafit civil-profesional; dhe qasja konservatore dhe shtrënguese sa i përket nivelit të rritjes në një kohë inflacioni e krize sociale”, thuhet në komunikatë.
Tutje përmenden edhe rritjet që do t’ju bëhen kryeministrit, zëvendësministrave e këshilltarëve të lartë politikë.
“Stafi civil-profesional brenda administratës që përbënë 80% të punonjësve të administratës do të marrin rritje prej 10%; policia ka një rritje fyese e të pa përfillshme prej 7%. Punëtorët e arsimit 10%; ndërkohë që udhëheqësve të divizioneve të cilët me ligjin e ri do të bëhen njerëz me mandate, pra politik, do t’iu rritet paga me 50%; këshilltarët e lartë politik do të përfitojnë rritje prej 80%, ose rritje prej 576 eurosh; ligji i ka rritur pagat për mjekët specialist, por ka lënë padrejtësisht mbrapa infermierët; stafi teknik është lënë tërësisht anash pa asnjë rritje; ndërkaq kryeministrit i është rritur paga për 52% ose 780 euro më shumë; kurse zëvëndës ministrat sipas këtij drafti do të marrin rritje prej 37% ose 425 euro më shumë”, thuhet tutje.
Sipas tyre, ky draft i lë pas dore njerëzit që kanë më së shumti nevojë për shtetin, e që nuk duhet të miratohet.
“Ky draft e rrit pabarazinë dhe diskriminon punonjësit në nevojë. Ata që janë prekur më shumë nga rritja e çmimeve nuk ndihmohen ose ndihmohen fare pak. Ky draft nuk e adreson nevojën për rritjen e kërkesës agregate. Qeveritë gjithandej kanë rritur pagën minimale dhe nivelet e subvencionimeve. Ky draft i lë pas dore njerëzit që kanë më së shumti nevojë për shtetin. Ky draft nuk bën të miratohet”, thuhet në komunikatën e PSD-së.