Pas kërkesës së Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë, e cila kërkon që ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të shqiptohet dënimi prej 45 vjetësh burgim për secilin veç e veç, avokati i akreditur nga Gjykata Speciale, Tahir Rrecaj, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” këtë kërkesë e ka cilësuar si të papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me parimin themelor të ligjshmërisë dhe zbatimit të ligjit më të favorshëm.
Sipas tij, një kërkesë e tillë shpërfill kontekstin kohor të veprave të pretenduara, legjislacionin penal në fuqi në periudhën përkatëse, si dhe praktikën gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare lidhur me përgjegjësinë komanduese.
“Kërkesa e Prokurorisë së dhomave të Specializuara në Hagë që të akuzuarve Thaçit dhe të tjerëve që secilit veç e veç ti shqiptohet një dënim prej 45 viteve burgim është në tërësi në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë për pranimin e zbatimit të ligjit të favorshëm për shkak se veprat që dyshohen se janë kryer, këto kanë ndodhur në kohën deri sa ka qenë në fuqi ligji i Jugosllavisë nga janari 1998 deri në qershor të 1999 ku me rregulloren e UNMIK-ut 24-99 ai ligj penal i Jugosllavisë që parashihte dënimin me vdekje në rastet e krimeve të luftës dhe rasteve tjera më të rënda është ndryshuar dhe është heq dënimi me vdekje”, tha Rrecaj.
Tutje ai ka theksuar se “në bazë të atij ligji dënimi maksimal që mund të iu shqiptohet ish krerëve të UÇK-së mund të jetë deri në 15 vjet”.
“Me heqjen e dënimit me vdekje ka mbetur vetëm si alternativë dënimi me burgim, e në atë kohë sipas ligjit penal të Jugosllavisë ka qenë nga 15 ditë deri në 15 vite”.
Avokati ka theksuar se një gjë e tillë ka ndodhur edhe në rastin e komandant Calit, por që më pas pati ndryshime.
“Kështu ndodhi edhe me ish komandant Calin të cilit fillimisht iu shqiptua dënimi prej 26 vjet, pastaj instancat më të larta atje e ulën dënimin në 15 vjet”, ka theksuar ai.
“Unë uroj që ish krerët e UÇK-së, Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi të lirohen nga akuza për shkak se nuk ka asnjë bazë ligjore, asnjë provë që vërteton faktin se këta mund të përgjigjen për përgjegjësi komanduese, sepse siç kanë vërtetuar edhe dëshmitarët e mbrojtjes UÇK në atë kohë nuk ka qenë e organizuar dhe strukturuar dhe nuk mund të ketë përgjegjësi komanduese”, deklaroi Rrecaj për “Enigmën”.
Avokati ka dhënë detaje edhe se çka nënkuptojmë me përgjegjësinë komanduese, duke theksuar se edhe në rastin e Haradinajt dhe Limajt nuk ka pasur sukses.
“Përgjegjësia komanduese nënkuton që komandanti të përgjigjet për veprimet e një pjesëtari të ushtrisë kushdo qoftë ai në pjesën të cilën ushtron një kontroll. Përgjegjësia komanduese nuk ka pas sukses as në Tribunalin e Hagës në rastin kundër Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt me shokë. Por nuk ka pas sukses edhe këtu para gjyqtarëve të EULEX-it ku unë kam mbrojtur zotin Limaj në rastin Kleçka, pastaj edhe në rastin Bellanica për krime lufte, por nuk ka kaluar as në rastin Drenica”, deklaroi ai.
“Pra në asnjërin nga këto raste që i përmenda Gjykata edhe pse kanë qenë gjyqtarë të EULEX-it disa prej tyre sot janë në dhomat e specializuara i kanë liruar me akuzat sepse nuk është vërtetuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës në atë kohë ka pasur një hierarki, një strukturë organizative, ose ndonjë kontrolle efektive shtabi i përgjithshëm i UÇK-së, e gjitha ka qenë në fazën e ristrukturimit, por mbi të gjitha fakti se ligji penal i Jugosllavisë i cili ka qenë në fuqi në kohën e ndërhyrjen me heqjen e dënimit me vdekje me rregulloren e UNMIK-ut 24-99 ka lënë mundësinë që për këto vepra penale dënimi maksimal të jetë deri në 15 vjet, dhe në këtë rast gjykata duhet ta zbatojnë parimin e zbatimit të ligjit më të favorshëm që thotë në mënyrë shprehimore se ndaj kryesve të veprës zbatohet ligji i cili ka qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës, ku në rast të ndryshimit të ligjit, zbatohet ligji më i favorshëm”, tha Rrecaj për Gazetën “Enigma”.
“Me heqjen e dënimit me vdekje ka mbetur vetëm dënimi me burgim që mund të jetë deri në 15 vite”, ka përfunduar ai. /Gazeta Enigma/
