Para se futbolli të ishte pjesë e organizatave si UEFA dhe FIFA ishte e kuptueshme mos-qëndrueshmëria financiare, por sot tek e festojmë gjashtë vjetorin e pranimit në UEFA, nuk është e pranueshme që kjo “sëmundje” të vazhdoje ende ta ndal hovin e zhvillimit të futbollit tonë.
Për çdo sezon kriza financiare godet klube të ndryshme, shpesh ato klube janë edhe kampione në fuqi apo klube që së fundmi ishin edhe pjesë e garave evropiane.
Ka arsye e arsye por duke analizuar se si veprojnë klubet e Kosovës, vërehet qartë se të gjitha çalojnë në aspektin e planifikimit, sidomos atij financiar, nuk kanë fokus të duhur tek gjeneratat e reja, çalojnë tejmase në aspektin administrative e menaxherial, e këto çalimet e fundit i kanë lënë shumë prapa në gjenerimin e të hyrave komerciale nga sponsorët apo aktivitetet tjera.
Shpenzime marramendëse në aktivitete me benefite të ulëta për klubin
Pjesëmarrja në gara evropiane sjell të hyra të mira për klubet e Kosovës, por problemi kryesor qëndron në atë se si menaxhohen ato të hyra. Çka po bëjnë klubet e Kosovës me të hyrat që po marrin nga UEFA?
Fatkeqësisht buxhetin po e drejtojnë në aktivitete që nuk sjellin qëndrueshmëri financiare. Pra, me sigurim të Evropës, klubet kosovare po bëjnë rritje enorme të rrogave të lojtarëve – po ashtu investime në lojtarë të vjetër në moshë, pa potencial për rishitje.
“Arsyeja” e klubeve se pse afrojnë lojtarë me përvojë për garim në Evropë është paraqitja sa më e mirë në këto gara, por anipse afrimet e tilla kanë ndodhur, nuk kemi parë paraqitje të mirë në garat evropiane. Përveç kësaj garimi në Evropë duhet të shfrytëzohet kryesisht për shpalosje të talentëve vendas para skautëve të klubeve evropiane, në mënyrë që të rrisin gjasat e transferimit jashtë Kosovës të lojtarëve vendas. Kjo është burimi kryesor i të hyrave të klubeve nga shtetet e vogla, përfshi edhe shtete si Kroacia. Kjo qasje duhet të jetë baza e synimit edhe për klubet e Kosovës.
Klubet e Kosovës duhet të kenë këtë cikël: a) siguro garat evropiane me lojtarë vendas, b) zhvillo lojë të mira me po ata lojtarë dhe rrit gjasat që disa prej tyre të shiten në klube evropiane. Ky proces duhet të jetë gjithmonë i përsëritshëm.
Kështu klubet do të sigurojnë qëndrueshmëri financiare, do të rritet numri i lojtarëve nga Kosova që do të luajnë në klube e linga të rëndësishme evropiane, si edhe do të rritet niveli i lojës tek lojtarët vendas. Pra, kështu do të fitojnë klubet, lojtarët vendas, por edhe Kosova si shtet.
Fokus i vogel e jo profesional tek gjeneratat e reja
Mungesa e fokusit tek gjeneratat e reja po i detyron klubet të drejtohen tek “merkatoja” brenda dhe jashtë Kosovës për të krijuar ekipin garues. Përveç kësaj, në momentin që klubet po përballen me krizë financiare dhe po u limitohen mundësitë e transferimeve të lojtarëve, po ndodhë një rënie drastike në fond të lojtarëve si shkak i mungesës së lojtarëve të rinj për t’i inkuadruar në ekipin e parë. Me mungesë të lojtarëve të rinj e të gatshëm për lojë në superiore, rënia nga liga po bëhet e pashmangshme. Sivjet kishim disa klube në këtë lloj krize, sezonin tjetër do të jetë një klub tjetër, pastaj një tjetër e kështu me radhë, përderisa derisa kjo qasje duhet të ndryshojë urgjentisht. Duhet patjetër që edhe Federata e Futbollit të Kosovës të kyçet dhe të propozojë rregulla shtesë që mbrojnë dhe ndihmojnë lojtarët vendas, sidomos lojtarët e rinj. Talentët kanë nevojë për minuta loje që të bëhen lojtarë të mëdhenj dhe ato minuta loje duhet t’u sigurohen në mënyrë që të rritet numri i lojtarëve të rinj që bëhen pjesë e Superligës së Kosovës, por edhe ligave tjera (anipse në ligat më inferiore, kemi numër të mirë të lojtarëve të rinj, për arsye të ndryshme).
Federata duhet të bëjë monitorimin e qindra “shkollave” të futbollit që janë aktive në Kosovë. Kush dhe qysh po na edukon fëmijët tanë për futbolli? Nga kush dhe si janë të licencuara?
Struktura administrative e menaxheriale jo efikase dhe mungesë e digjitalizimit
E kuptoj që klubet nuk mund të kenë administratë e staf menaxherial të krahasueshëm me klubet e Evropës, por të paktën me rajonin duhet të jemi konkurrues. Momentalisht si ne nivel federate, njashtu edhe në nivel klubesh çalojmë shumë në aspektin administritativ e menaxherial.
Klubet paguajnë një lojtar që është pothuajse i pensionuar me pagë dhjetë mijë euro (10,000Eur) në muaj, ndërsa nuk janë në gjendje të paguajnë dy apo tre persona profesionistë që do të merreshin me punët administrative e menaxheriale e të cilët ndoshta në maksimum do të kushtonin sa tridhjetë përqind e rrogës së një lojtari që edhe ashtu nuk sjell shumë benefite për klubin (në shkrimin tjetër rreth asaj se sa vlen një lojtar si aset për klubin).
Përveç stafit, tek klubet po ashtu edhe tek federate vërehet një mungesë e digjitalizimit të proceseve dhe punëve e që tash janë të domosdoshme në çdo biznes, poashtu edhe në futboll. Të gjitha bizneset në Kosovë edhe ato më të vogla janë më përpara në digjitalizim se sa janë Federata e Futbollit të Kosovës dhe klubet e futbollit.
Digjitalizimi u mundëson klubeve të rrisin efikasitetin në punë, të marrin vendime bazuar në të dhëna më të sakta, si edhe të lidhen me audiencën online, audiencë me të cilën duhen edhe ide kreative për të qëndruar në fokus të saj.
Ngecje në rritje të të hyrave komerciale – sponsorizimi
Thembra e Akilit e klubeve sportive në përgjithësi, por edhe e futbollit në veçanti, është gjenerimi i të hyrave komerciale, ku hyjnë shitja e biletave, shitja e veshmbathjeve, si edhe të hyrat nga sponsorët apo marketingu.
Klubet deri më tash kanë dështuar të ofrojnë vlerë të shtuar për bizneset, përveç benefiteve financiare nga lirimi në taksa që kane bizneset bazuar në ligj. Kjo qasje nuk ka sjellur sponsorë të mjaftueshëm edhe stabil, sikur edhe është e pritshme, pasi bizneset e konsiderojnë më shumë ndihme dhe mundësi ulje në tatim, se sa që e shohin futbollin si kanal komunikimi me audiencën e tyre.
Klubet e futbollit duhet të krijojnë vlerë reklamimi për bizneset në mënyrë që ato të kenë interes të shtuar të bëhen partner më një brend futbolli. Të gjitha klubet kanë audiencë në stadium por edhe audiencë online, andaj duhet një qasje totalisht ndryshe në këtë aspekt që të rriten të hyrat që do të mundësonin edhe funksionimin normal të klubeve tona.
Pra, në shkrim u përmendën shumë arsye se pse klubet e futbollit në Kosovë kanë qëndrueshmëri financiarë të dobët, duke filluar nga shpenzimet e gabuara në ekip, qasje e gabuar në menaxhim sportive, sidomos mangësi në punën me gjenerata të reja, administratë dhe staf menaxherial të pakët dhe jo-profesional, si edhe ngecje në rritje të të hyrave komerciale.
Natyrisht ka edhe arsye tjera rrethanore ose më të vogla që nuk janë përmendur qëllimisht, por më e rëndësishmja e më urgjentja që duhet të ndryshohet tani është qasja menaxheriale e strategjike që kanë drejtuesit aktual të klubeve. Biznesi dhe bota që jetojmë ka ndryshuar, është digjitalizuar, prandaj njëjtë duhet të bëjë edhe futbolli, të digjitalizohet e të kalojë nga niveli klasik i menaxhimit në nivel modern. Nuk duhen shumë shpenzime, mjafton shpenzimet aktuale të drejtohen aty ku duhet.