Gjendja e punëtorit të KEDS-it, i cili u lëndua të shtunen nga një shpërthim, është jashtë rrezikut për jetë, por pacienti ka lëndime serioze, raporton Gazeta Enigma.
Kështu ka bërë të ditur Nerxhivane Halimi, kujdestare në Qendrën Emergjente.
“Rreth orës 13:50 na ka ardhur një pacient me djegie. Pacienti është duke u trajtuar ende dhe po vazhdon trajtimin në Kirurgjinë Plastike. Lëndimet janë serioze, mirëpo është jashtë rrezikut përjetë”, tha mjekja kujdestare.
Ndryshe, KEDS bëri të ditur se gjatë procesit të rregullimit të një prishjeje që furnizon një pjesë të lagjes Ulpiana, kishte ndodhur një aksident në nënstacionin Prishtina 6 110/10KV.
“Si pasojë e këtij aksidenti një punëtor i KEDS është lënduar. Fatmirësisht, sipas informative që kemi marrë nga emergjenca që punëtori ynë është jashtë rrezikut për jetë”, thuhej në njoftim.
Nënstacioni për shkak të këtij aksidenti për momentin ishte jashtë pune.
Ky nënstacion përfshinte daljet që furnizojnë qendrën, Ulpianën dhe një pjesë e Bregut të Diellit, Dardanisë dhe Aktashit.
“Ekipet tona tanimë janë duke punuar në rregullimin e prishjes dhe energjizimin e nënstacionit”, thuhet më tej. /Gazeta Enigma/