Njoftimi i qeverisë së Kosovës ka ngjallur reagime të shumta pasi u njoftoi se qytetarëve që shpenzojnë mbi 600 këh në muaj mund t’u shtrenjtësohet fatura dyfish që nga shkurti.
Ekzkekutivi ka ndarë 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë për qytetarët dhe bizneset për t’i përballuar çmimet e reja të energjisë elektrike.
“Subvencioni i energjisë elektrike nga ana e Qeverisë do të ndikojë që tarifa për konsumatorët biznesor mbetet me 0% rritje, tarifa për konsumatorët shtëpiak deri në konsumin prej 600 kËh mbetet me 0% rritje, ndërsa tarifa e propozuar nga ZRRE për konsumatorët shtëpiak për konsumin mbi 600 kËh të reduktohet, duke pasqyruar çmimin e importit për këta konsumatorë dhe promovuar efiçiencën e energjisë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë.
Sipas propozimit të ZRRE’së, tarifa për konsumatorët me 800 kËh rrymë të shpenzuar në muaj do të rritet në vlerë prej 13.31 eurosh, derisa konsumatorët që shpenzojnë 1000 kËh rrymë në muaj, do të përballen me një rritje prej 24.62 euro të çmimit të rrymës.
Kur do të fillojnë të aplikohen këto tarifa?
Sipas propozimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, tarifat e reja të energjisë elektrike, nëse miratohen, do të fillojnë të aplikohen nga 1 shkurti.
Këto tarifa do të jenë të aplikueshme deri më 31 mars të vitit 2023.
“Në një proces të ndarë të shqyrtimit të jashtëzakonshëm, të publikuar në ueb-faqen e ZRRE-së krahas këtij raporti, ZRRE ka vlerësuar se të Hyrat Maksimale të Lejuara që mbulojnë kostot e arsyeshme të shërbimit me energji elektrike janë €446.7 milionë”.
“Kjo pjesë e raportit konsultativ ofron propozimin e ZRRE-së për nivelin e tarifave të energjisë elektirke që do të jenë të aplikueshme për periudhën 1 shkurt 2022-31 mars 2023 për të mbluar nivelin e kostove të arsyeshme…”, thuhet në raport.
Palët që dëshirojnë të shprehin mendimet e tyre për qëndrimin e ZRRE’së kanë afat që ta bëjnë këtë deri më 28 janar, në orën 18:00.
“ZRRE-ja u ofron kompanive të rregulluara dhe konsumatorëve mundësinë që të shqyrtojnë dëshmitë dhe pikëpamjet e paraqitura në këtë raport konsultativ, me të cilat ata mund të mos pajtohen, dhe të komentojnë ato duke korrigjuar një gabim faktik, duke paraqitur kundër argumente ose duke ofruar të dhëna të reja të cilat ZRRE-ja mund të mos i ketë marrë parasysh”.
“Palët që dëshirojnë të shprehin mendimet e tyre për qëndrimin e ZRRE-së ftohen t’i dorëzojnë komentet e tyre me shkrim në adresën [email protected] jo më vonë se 28 janar 2022, deri në ora 18:00h”.
Sa do të paguajnë konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kËh në muaj?
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka deklaruar se 69 përqind e konsumatorëve nuk e kalojnë asnjë muaj gjatë vitit shifrën 600 kËh. Ai thotë se edhe ata që e kalojnë, për 600 kËh të parë paguajnë më lirë.
Buzhala thotë se rreth 80 përqind e konsumatorëve nuk e kalojnë shifrën e 600 kËh gjatë muajve të verës.
“Janë 69 për qind e konsumatorëve që nuk e kalojnë asnjë muaj gjatë vitit shifrën e 600 kËh. Gati 80 për qind e konsumatorëve nuk e kalojnë këtë shifër gjatë muajve të verës. Ndërsa, edhe ata që e kalojnë për 600 kËh të parë paguajnë më lirë, pra njëjtë për këtë pjesë shpenzimit”, ka shkruar Buzhala.
Opozita pro apo kundër rritje së çmimit të energjisë
Lidhja Demokratike e Kosovës ka dal kundër propozimit për rritje të energjisë elektrike.
Besian Mustafa nga LDK ka thënë se mungesa e profesionalizmit, përgjegjësisë dhe vullnetit për punë e Qeverisë do të rëndojë kuletën e qytetarit, duke rritur çmimin e faturës së energjisë elektrike për 42 për qind.
Sipas tij, Qeveria ka qenë e njoftuar qysh në pranverën e vitit të kaluar për rritjen e çmimeve të energjisë, si dhe hapat që duhet të merren.
“Qeveria zgjodhi populizmin e linçimin në kohë zgjedhjesh lokale për të fituar ndonjë votë. Paaftësia e Qeverisë për të menaxhuar me furnizimin me energji elektrike i ka kushtuar qytetarit të Kosovës 20 milionë euro të ndara për KOSTT-in, 20 milionë euro për importin e energjisë, dhe 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë”, ka thënë Mustafa, në një konferencë për media.
Ai ka përmendur edhe refuzimin e projektit të gazsjellësit amerikan.
“Qeveria ka refuzuar një grant 200 milionë dollarë nga MCC-ja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për termocentralin me gaz që do të shërbente për prodhimin më të lartë të energjisë elektrike dhe çmime me të ulëta në tregun vendor”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa, Partia Demokratike e Kosovës ka dal kundër këtij propozimi.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci se janë bërë realitet paralajmërimet e PDK-së ndaj Qeverisë për të ndërmarrë hapa adekuate për zgjidhjen e problemeve me kohë sa i përket energjisë elektrike.
“Paralajmërimet tona të shumta ndaj Qeverisë për të ndërmarrë hapa adekuat për zgjidhjen e problemeve me kohë, në mënyrë që edhe të ketë furnizim të sigurt me energji, edhe të mos ketë ngritje të çmimeve sot janë bërë realitet dhe masat e propozuara nuk përkojnë aspak me gjendjen ekonomike të familjeve kosovare”, ka thënë Stavileci.
Sipas tij, propozimi për rritjen e tarifave pas një periudhe të rëndë ekonomike si pasojë e pandemisë, është njëra nga goditjet më të ashpra që po u bëhet qytetarëve të Kosovës.
“Kjo rritje do të rëndojë mirëqenien e sociale qytetarëve në kohën kur edhe ashtu të gjitha çmimet e produkteve primare të konsumit dhe kjo rritje do të vazhdojë me efekte edhe më të mëdha. Për më keq kjo rritje mund të adresojë nevoja për koston e sistemit për periudha para nesh. Sot rrjeti ynë i transmisionit, KOSTT si shtylla kryesore e sigurisë së furnizimit është para kolapsit financiar”, ka thënë Stavileci.
Stavileci duke thënë se pak më shumë se një dekade shtet, Qeveria po instalon pabarazi dhe diskriminim dhe me vetëdije të plotë po e kthen vendin tek subvencionimi i tarifave dhe te reduktimet, ka theksuar se është tërësisht e padrejtë dhe thellësisht diskriminuese që 30% e konsumatorëve të bartin koston shpenzimit të 70% të konsumatorëve të tjerë.
Ndryshe, në lidhje me këtë çështje ka pasur edhe reagime, si ajo e Bashkimit të Sindikatave të Pavaruara të Kosovës, të cilët e kanë quajtur veprim të ngutshëm miratimin e propozimit të ZRRE’së nga Qeveria, për rritje të çmimit për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kËh energji.
Tutje, thuhet se kjo mund të sjellë përkeqësim dhe rëndim të situatës ekonomike e sociale të qytetarëve.
“Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës i drejtohet partnerit të saj social – Qeverisë se ka bërë veprim të ngutshëm me miratimin e propozimit të këtillë, të propozimit të cilit është dashur t’i kushtohet kohë dhe t’i nënshtrohet analizës profesionale para se të miratohet”.
“Besojmë se Qeveria është e vetëdijshme se miratimi i sotëm do të sjellë deri te përkeqësimi dhe rëndimi i mëtejshëm i situatës ekonomike e sociale të qytetarit”, thuhet në reagimin e BSPK’së. /Gazeta Enigma/.