Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së sotme ka miratuar nismën për Marrëveshjen e Financimit “Projekti Emergjent i Kosovës për COVID-19”, që është financim shtesë ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, raporton Gazeta Enigma.
Kjo marrëveshje e prezantuar në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës kap vlerën e 15 milionë eurove.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka paraqitur para kabinetit qeveritar kërkesën për miratim të kësaj marrëveshje, e cila në fund mori përkrahjen e të gjithëve.
“Marrëveshja e financimit shtesë kap vlerën e 15 milionë eurove. Mjetet financiare do të destinohen si vazhdimësi e përgjigjes ndaj pandemisë COVID-19 dhe pikë kyçe do të mbetet forcimi i kapacitetit shëndetësorë. Marrëveshja ka për synim mbështetjen për prokurim dhe distribuim të vaksinave COVID-19”, tha Murati.