Kreu i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, në një konferencë për media sot ka njoftuar se e kanë pezulluar grevën dhe se mësimi nis të hënën në shkolla.
Por, ai tha se Qeveria Kurti s’duhet ta shohë këtë si një fitore të saj, por të marrë mësim meqë pezullimin e saj e bënë për hir të fëmijëve.
“Uroj që Qeveria Kurti të ketë nxjerrë mësime dhe të mos dalë tash e të ndihet triumfale. Sindikatën e Arsimit, shërbyesit civilë, por edhe BSPK-në, që ka një histori të lavdishme nga vitet e 90-ta, s’ka mundur kush ta gjunjëzojë, as kjo qeveri as të tjerat që do të vijnë”.
Jasharaj ka thënë se kanë qenë kategorikë ndaj grevës, por se për shkak të linçimeve dhe fyerjeve të rënda kanë hequr dorë nga greva.
Ai shtoi se do të vazhdojnë komunikimin me Qeverinë kërkesat e anëtarësisë të gjejnë forma të tjera në përballje me Qeverinë.
“Këtë pezullim po e bëjmë me vullnetin e anëtarësisë për të dëshmuar se ne e ndiejmë çka është viti shkollor dhe po të them se jemi ndierë keq për një muaj në shtëpi. Apelet e prindërve i kemi pranuar dhe pikërisht edhe për hir të tyre, sepse pjesa më e madhe e prindërve kanë qenë dinjitoz, ka pasë kërkesa e urdhra nga Qeveria që të shkojnë në shkollë dhe të mbajnë mësim. Aty-këtu e kanë bërë. Por, nxënësit kanë qenë të mrekullueshëm dhe apeli im ka qenë që ata të rrinë në shtëpi dhe të mos dalin rrugëve për t’u përballur me rreziqe”.