Një ditë më parë në vend u shënua numër rekord i të infektuarve me koronavirus, ku për 24 orë rezultuan pozitivë 1,765 persona, raporton Gazeta “Enigma”.
Pas kësaj shifre alarmante, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia është takuar me përfaqësues të Odës së Hotelerisë dhe Turizmit ku edhe janë pajtuar që të marrin masa të reja anti-COVID.
Vitia tha se gjatë ditës së sotme do të mbahet mbledhja e Qeverisë ku do të propozoj marrjen e vendimit për masat e reja.
Nga Oda kanë njoftuar se nga data 20 gusht, do të mbyllen klubet e natës, deri më 1 shtator, ndërkaq restorantet e kafeteritë do të punojnë deri në ora 22:30.
Sipas njoftimit, po ashtu do të zvogëlohet edhe numri i dasmorëve nëpër dasma, nga 300 sa ishte në 150 dasmorë.
“Masat janë nga data 20.08.2021: Sallat e dasmave deri në ora 22:30, kapaciteti i klientëve 150 të pranishëm. Klubet e natës dhe diskotekat mbyllen deri më 01.09.2021. Të gjitha restorantet ditore, kafiteritë etj punojnë deri 22:30”, thuhet në njoftimin e Odës, Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës.
Tutje, bëhet e ditur se “Nga data 20.08.2021 pa dëshmi vaksinimi apo test PCR nuk lejohen klientët në asnjë nga ambientet Hoteliere-Gastronomike”./Gazeta Enigma.