Qeveria tregon çka u bisedua mes Kurtit dhe veteranëve

Qeveria tregon çka u bisedua mes Kurtit dhe veteranëve

Edhe Qeveria ka dalë me njoftim rreth takimit të kryeministrit Albin Kurti me përfaqësuesit e organizatave të veteranëve të luftës.

Në komunikatën për media thuhet se në takimin me Faton Klinakun, ushtrues detyre i kryetarit të Organizatës së  Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve të UÇK-së dhe Fadil Shurdhaj, kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së  dhe kryetarët e disa degëve të organizatës së veteranëve të luftës, u ritheksua përkushtimi i Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së veteranëve të UÇK-së.

“U bisedua edhe për çështjen e pastrimit të listave dhe mundësitë e bashkëpunimit në këtë aspekt, si dhe tema të tjera të rëndësishme lidhur me statusin dhe gjendjen e veteranëve të luftës çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë takim të përbashkët të pranishëm ishin edhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, këshilltari i Kryeministrit për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Aziz Bici dhe Kryetari i Komisionit Parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Ndërkohë, Faton Klinaku dhe Xhavit Jashari pas takimit me Kurtin, në një deklaratë për media, thanë se nuk pati dakordim, dhe se protestat do të vazhdojnë derisa të plotësohen kërkesat e tyre, në këtë rast të ndryshojë projektligji për Pagën Minimale

Related Articles