Qytetarët flasin për nevojën e trafikut urban, kryeqyteti mbetet i vetmi vend me transport publik

Qytetarët flasin për nevojën e trafikut urban, kryeqyteti mbetet i vetmi vend me transport publik

Mungesa e transportit publik nëpër komuna të Kosovës, mbetet një nga problemet kyqe të qytetarëve kosovar, shkruan Gazeta “Enigma”.

Përpos kryeqytetit i cili e ka instaluar këtë transport, qytetarët e komunave të tjera të vendit, ende ballafaqohen me këtë mungesë.

Lidhur me këtë, Inxhinieri i Komunikacionit, Astrit Zejnullahu, në një përgjigje për Gazetën “Enigma” ka thënë se nëse shumica e qytetarëve do t’i drejtoheshin transportit publik, atëherë tollovia në komunikacion nuk do të ishte problem, duke pasur parasysh kapacitetin për shfrytëzim sa ka një autobus, dhe sa ka një veturë.

“Duke marrë parasysh se një autobus kapacitetin për shfrytëzim e ka 98 ulëse (ulës + vendqëndrim në këmbë) dhe një automjet maksimumi i persona që mund të shfrytëzojnë një automjet të udhëtarëve është 4-5 persona, i bie që një autobus do të zëvendësonte 20-25 automjet”, ka thënë Zejnullahu.

Sa i përket çmimeve të biletave të autobusëve të Trafikut Urban, ai thotë se janë modeste.

“Çmimet janë të arsyeshme si për udhëtaret që e përdorin autobusin në baza ditorë ashtu edhe udhëtaret të cilët nuk janë përdorues të rregull, pasi Trafiku Urban lëshon bileta një drejtim dhe bileta të rregulla mujore për kategori të ndryshme sipas sqarimeve të poshtë shënuara: Bileta për një drejtim kushton 0.40 Euro • Bileta për një drejtim, brenda territorit të Prishtinës • Pagesa te konduktori”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, bileta mujore e integruar për nxënës ose student kushton 12.00 Euro, dhe përdoret për të gjitha linjat e TU-së.

Kjo biletë për nxënës/student kushton 12euro në muaj, kurse për qytetarët e tjerë është 14euro në muaj.

Tutje ai ka njoftuar për linjat e qarkullimit të urbanëve që janë në qarkullim në kryeqytet.

“Trafiku Urban operon për momentin në 7 linja (linja 1, 1A, 3, 3c, 4, 7c dhe 15) të cilat nuk janë të mjaftueshme për mbulim të komplet qyteti me transport publik”, ka përfunduar Zejnullahu.

Sa është i rëndësishëm trafiku urban, flasin qytetarët

Arian Hajredini, qytetar nga Ferizaj, ka thënë për Gazetën ‘Enigma’ se trafiku urban do ta bënte lëvizjen më të lehtë si për qytetarët.

“Në bazë të popullsisë që e ka Ferizaj do t’i kishte ndihmuar edhe pse është regulluar qyteti, janë hapur biznese larg njëra tjetrës, do të kishte qenë më e mirë edhe lëvizja e qytetarëve, ku në të njëjtën kohë ishin eliminuar edhe kolonat në trafik, ka thënë Hajredini.

Edhe Ardiana Jaha, qytetare nga Hajvalia, ka thënë për Gazetën “Enigma” se trafiku urban duhet të ishte i domosdoshëm në çdo qytet.

“Unë mendoj që në qytetet që kanë qarkullim të shumtë, objektet si spitalet, postat, qendrat familjare dhe shkollat gjenden të shpërndara larg njëra tjetrës, patjetër që iu duhet trafiku urban për qarkullim. Çmimet janë të arsyeshme, por për student edhe pensionist do të duhet të kishte më shumë përparësi në pagesa, ka thënë Jaha.

Kujtojmë se Trafiku Urban është themeluar më 1 prill 1976 nga Komuna e Prishtinës si kompani publike. U zhvillua në vitin e zhvillimit të shpejtë të qytetit, kur u shfaqën lagje të reja, dhe banorë të rinj arritën në qytet. Autobusët nga viti 1976 ishin të pranishëm deri në vitin 1999, kur disa nga linjat u privatizuan.

Në vitin 2016 Komuna e Prishtinës nënshkroi një marrëveshje me EBRD për të blerë autobusë të rinj për herë të parë që nga viti 1976. Si pjesë e marrëveshjes, ishte edhe Plan i ri i Lëvizshmërisë së Qëndrueshme Urbane. Që nga viti 2018, 51 autobusë të rinj veprojnë në 15 linja të sistemit të transportit urban, me planin që të riorganizohen në 20 linja deri në vitin 2019.

15 linjat e tanishme të transportit të autobusëve në qytet bartin afërsisht 21.600.000 udhëtar në vit. Numri pritet të rritet përmes zhvillimit nga Plani i ri i Lëvizshmërisë Urbane për qytetin. /Gazeta Enigma/

Related Articles