Qytetarët të brengosur me reduktimet e energjisë, Komisioni i ME-së i jep rekomandime KEK-ut

Qytetarët të brengosur me reduktimet e energjisë, Komisioni i ME-së i jep rekomandime KEK-ut

Banorët e fshatit Llukar të Prishtinës thonë se për ta janë të papranueshme reduktimet e energjisë elektrike në këtë kohë.

Thonë se janë të shqetësuar edhe për paralajmërimet e rritjes së çmimit e nuk e dinë se si do t’ia dalin këtë dimër.

“Ta shohim se si do të na dalë ky dimër se çfarë reduktimesh do të ketë. Mund të jenë edhe më të ashpra. E dinë edhe ata që janë përgjegjës, por mirë do të ishte të bënin zgjidhje ashtu si është e nevojshme, sepse ne edhe ashtu po heqim për çdo gjë. Shtrenjtime të mëdha tash edhe nëse i kemi paguar 50 euro faturën, tash mund të jetë 70 deri në 100 euro”, tha Burim Krasniqi, banor i Llukarit.

“Reduktimet janë të pranishme dhe nuk janë, mirëpo situata e përgjithshme në Evropë siç dihet është shumë e keqe. Dimri si çdoherë është i ftohtë, me borë dhe dimri do të jetë i vështirë, por mund të jetë më i vështirë sesa i vitit të kaluar, sepse edhe lufta në Ukrainë po shkon duke u zbehur”, tha Ilmi Krasniqi, banor tjetër i fshatit.

Reduktimet u kanë shkaktuar telashe edhe bizneseve.

“Për momentin po kemi nga dy herë në ditë nga dy orë reduktime. Na e pengon shumë biznesin tonë dhe e presim një dimër shumë të vështirë nëse vazhdon kështu se të gjitha pajisjet i kemi me rrymë. Besoj se do të na bëjë shumë probleme gjatë dimrit nëse vazhdojnë kështu”, tha Çlirim Krasniqi.

Takime për reduktimet “gjashtë me dy” e adresimin e krizës energjetike janë mbajtur të mërkuren në mbrëmje në Ministrinë e Ekonomisë, ku u themelua Komisioni Teknik Emergjent.

Në njoftimet e dy mbledhjeve thuhet si i janë dhënë disa rekomandime për Korporatën Energjetike të Kosovës, ndër të tjera që të sigurojë energjinë e nevojshme për të evituar reduktimet për konsumatorët dhe devijimet në rrjetin energjetik.

“Në mbledhjen e parë të Komitetit Teknik Emergjent rekomandoi që me qëllim të mbulimit të konsumit për këtë situatë të krijuar, KEK-u t’i ofrojë Operatorit të Sistemit të Distribucionit(KEDS) energjinë e siguruar sipas kushteve të parapara në MFSH”, ishte thënë nga ME-ja pas mbledhjes së parë të Komitetit Teknik Emergjent të Ministrisë së Ekonomisë.

E pas mbledhjes së dytë ishte thënë: “Me qëllim të tejkalimit të situatës me furnizim të energjisë elektrike që do të zgjasë deri më 25 gusht 2022, Komiteti Teknik Emergjent rekomandoi që KEK-u të sigurojë energjinë e nevojshme për të evituar reduktimet për konsumatorët dhe devijimet në rrjetin energjetik”

Ky dikaster u ka bërë thirrje qytetarëve që ta kursejnë energjinë, duke ua kujtuar në të njëjtën kohë se blloku B2 i KEK-ut, që pritet të hyjë përsëri në prodhim më 25 gusht, pritet që ta stabilizojë këtë gjendje.

Derisa në KEK, KEDS e ZRrE nuk kanë dhënë sqarime shtesë lidhur me takimin dhe rekomandimet që i kanë dhënë në mbledhjet e komitetit të posaformuar.

Zyra e Rregullatorit nuk ka treguar se kur saktësisht pritet të vendoset për tarifat e reja, por ka thënë se do t’i përmbahet afatit që përfundon javën e ardhshme.
 

“Sa i përket shqyrtimit të tarifave, ju informojmë se në përputhje me Rregullën për përcaktimin e të hyrave të lejuara për FSHU-në, brenda 20 ditëve të punës pas pranimit të raportit të ndikimit financiar, Rregullatori do të njoftojë FSHU-në nëse Rregullatori e pranon apo jo propozimin e FSHU-së për përshtatjen e jashtëzakonshme. Aktualisht, Rregullatori është në proces të shqyrtimit të aplikimit të FSHU-së dhe brenda afateve të përshkruara më lart do të njoftojë publikun dhe FSHU-në për veprimet që do të ndërmerren nga Rregullatori”, thuhet nga ZRRE.

KEDS-i i ka përsëritur kërkesat që të përmbushet zotimi qeveritar për t’ia transferuar 90 milionë euro KESCO-s për mosshtrenjtim të tarifave, gjë që, sipas tyre, do ta mundësonte edhe furnizimin me energji.

Related Articles