Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në llogarin e tij në Twitter ka reaguar pas marrëveshjes së re mes Rusisë dhe Serbisë e cila u arrit përmes telefonit nga Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq.
Kurti tha se Putin e Vuçiq më nuk kanë nevojë as që të takohen, pasi marrëveshjet po arrihen përmes bisedave telefonike.
Kurti ndau edhe një pjesë nga ajo se çfarë kishte deklaruar Vuçiq në lidhje me Kosovën pas takimit me Putinin në Soçi më 25 nëntor 2021.
“Ata as nuk duhet të takohen më: marrëveshjet midis Putinit dhe Vuçiqit tani arrihen përmes bisedave telefonike. Por ja çfarë tha Vuçiq në lidhje me Kosovën pas takimit të tij të 19-të me Putinin në Soçi më 25 nëntor 2021:
Unë fola për standarde të dyfishta dhe shpesh hipokrizi në marrëdhëniet ndërkombëtare, Presidenti Putin e njeh këtë dhe e kupton mirë se për çfarë po flas, por ai më kërkoi shpjegime shtesë, kështu që folëm për veriun e Kosovës dhe ia treguam në hartë”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Twitter.
Kujtojmë se gjatë bisedës së sotme telefonike mes Putin e Vuçiq, temë bisede ishte edhe situata në Ukrainë dhe Kosovë./Gazeta Enigma/