Raporti i DASH, Kuvendi s’ka kuorum për projektrezolutën e opozitës

Raporti i DASH, Kuvendi s’ka kuorum për projektrezolutën e opozitës

Projektrezoluta e Partisë Demokratike të Kosovës për adresimin e gjetjeve të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit nuk është hedhur në votim për mungesë të numrit të pamjaftueshëm të deputetëve të pranishëm në seancën plenare.

Projektrezoluta u lexua nga deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu, i cili tha se ky dokument obligon Qeverinë Kurti që brenda 30 ditëve të hartojë një plan konkret për adresimin e gjetjeve të raportit të DASH-it, të përmbajë veprime konkrete për secilën gjetje të raportit dhe Qeveria brenda afateve të raportojë në Kuvend për implementimin e këtyre masave.

Nënkryetarja e Kuvendit Saranda Bogujevci nuk e ka hedhur projektrezolutën në votim për mungesë kuorumi, duke thënë se pikat e mbetura të rendit të ditës do t’i dërgohen Kryesisë së Kuvendit, e cila do të vendosë për seancën e radhës.

Më 22 prill, DASH-i publikoi raportin për Kosovën, ku ndër tjera problemet me pavarësi të gjyqësorit dhe kufizimet në liri të mediave ishin shqetësimet kryesore. Në raport thuhet se më 2023 nuk është raportuar për ndonjë ndryshim të madh sa i përket situatës me të drejta të njeriut në Kosovë.

Pozita e drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje tha se raporti ka lëshime dhe pasaktësi, pasi sipas saj, raporti ndër vite ka treguar për probleme të funksionimit të drejtësisë. Lëvizja Vetëvendosje krahasoi përmbajtjet e raporteve të mëparshme dhe për vitin e kaluar, ku tha se pushteti ka probleme të trashëguara.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se raporti i DASH-it tregon për nivelin e lartë të korrupsionit dhe se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti ka marrë goditjen më të madhe në vitin e fundit.

Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës, deklaroi se raporti ka rrënuar propagandën e pushtetit për luftim të korrupsionit dhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë “vulosur se Qeveria Kurti janë hajna të certifikuar”. Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka kritikuar Qeverinë Kurti për korrupsion duke thënë se “pesë ministra janë nën korrupsion”.

Partia Demokratike propozoi debatin për të gjeturat e DASH-it, pasi ky raport është shqetësues për Kosovën. Një kërkesë të tillë e patën edhe nga Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Related Articles