Në ngjarjen e organizuar nga Departamenti për Evropën i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), në Prishtinë, u prezantua raporti mbi perspektivën ekonomike rajonale të Evropës (REO).
Ky raport shqyrton zhvillimet e fundit ekonomike dhe ofron një pamje të perspektivës për rajonin, duke vënë theksin në rëndësinë e zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Evropian dhe ndikimin e tij në integrimin e vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE, shkruan Gazeta Enigma.
Në këtë ngjarje, që morën pjesë mbi 60 përfaqësues nga institucione dhe organizata të ndryshme, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, theksoi që sistemi financiar i Kosovës mbetet i qëndrueshëm, duke pasur likuiditet të lartë dhe kapitalizim të mirë.
Ai theksoi angazhimin e BQK-së për përmirësimin e kornizës ligjore dhe harmonizimin me standardet e BE-së, si dhe theksoi rëndësinë e monitorimit të sektorit bankar dhe treguesve financiarë për të përballuar pasiguritë ekonomike.
Ismaili gjithashtu foli për angazhimin e BQK-së në përmirësimin e mbikëqyrjes dhe rregulloreve për mbrojtjen e konsumatorëve dhe për përfshirjen financiare. Ai nënvizoi rëndësinë e një sektori financiar të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës si një element kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë kosovare.
Raportin e prezantoi Sebastian Weber, dhe pas këtij prezantimi, diskutimet u përqendruan në çështjet e ngritura nga raporti, me një fokus të veçantë në situatën ekonomike dhe financiare në Kosovë dhe rajon. Në panelin e diskutimit morën pjesë figura të rëndësishme si zëvendësguvernatori i BQK-së, Dardan Fusha, përfaqësuesi i FMN-së për Ballkanin Perëndimor, Sebastian Sosa, dhe shefi i Misionit për Kosovë, David Amalgobeli, të cilët diskutuan për rolin e reformave fiskale dhe strukturore në mbështetje të integrimit të Kosovës dhe rajonit në BE.
Ky aktivitet i paraprin një konferencë të nivelit të lartë që do të shënojë 25-vjetorin e themelimit të Bankës Qendrore të Kosovës, një ngjarje e rëndësishme për reflektimin e progresit dhe sfidave që ka kaluar sektori financiar i Kosovës gjatë këtyre viteve./GazetaEnigma/