Raporti i Progresit i BE-së, entuziazmi për zgjerim zbehet

Raporti i Progresit i BE-së, entuziazmi për zgjerim zbehet

Komisioni Evropian prezantoi pakon e tij të përvitshme të zgjerimit më 30 tetor, me një ton të ndryshëm në krahasim me atë të vitit të kaluar, kur ekzekutivi i Bashkimit Evropian bëri rekomandime historike: propozoi nisjen e bisedimeve për anëtarësim me Moldavinë, Ukrainën dhe, me kushte, me Bosnje e Hercegovinën, ndërsa propozoi dhënien e statusit të vendit kandidat për Gjeorgjinë. Këtë vit, raporti ka më pak lajme të mëdha dhe rekomandime.

Vetë fakti se ai u publikua në javën e pushimit vjeshtor shkollor në Bruksel, kur shumë zyrtarë të BE-së nuk janë në punë, dhe se KE-ja i dha prioritet një raporti për përmirësimin e gatishmërisë civile dhe të mbrojtjes, flet shumë për atë se sa shumë rëndësi i jep blloku zgjerimit të mëtejmë në këtë pikë.

Në të vërtetë, aspekti më interesant i tërë pakos ishte se sa e ashpër do të ishte KE-ja ndaj Gjeorgjisë, e cila sapo mbajti zgjedhje parlamentare me disa parregullsi të raportuara, të cilat i dhanë partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, një shumicë të papritur. Dhe, ai ishte goxha qortues, sipas standardeve të BE-së.

Duke përmendur miratimin e të ashtuquajturit “ligj për agjentët e huaj” së voni, dhe ligjet kundër komunitetit LGBT, por edhe “narrativët e fortë kundër BE-së nga zyrtarët gjeorgjianë”, dokumenti arriti në përfundim se “nëse Gjeorgjia nuk e ndryshon kursin aktual të veprimit, i cili rrezikon rrugën e saj drejt BE-së, dhe nëse nuk demonstron përpjekje të qarta për t’i adresuar shqetësimet aktuale dhe reformat kyç, Komisioni nuk do të jetë në pozitë për të rekomanduar nisjen e negociatave me Gjeorgjinë”.

Herën e fundit, KE-ja ia paraqiti Tblisit nëntë kushte për politika të ndryshme, të cilat duhet t’i plotësojë për fillimin e bisedimeve për anëtarësim. Këtu, Brukseli thjesht erdhi në përfundim se shteti në Kaukazin Jugor kishte bërë “progres të pamjaftueshëm” dhe theksoi mungesën e “angazhimit të mjaftueshëm politik nga autoritetet” për të bërë reformat e nevojshme.

Por, përveç që frenoi anëtarësimin e Gjeorgjisë në BE, diçka për të cilën udhëheqësit e BE-së de facto u pajtuan në qershor, nuk ka ndodhur diçka tjetër. E vërteta është se blloku nuk është i sigurt se si t’i interpretojë zgjedhjet e 26 tetorit, shkruan Radio Evropa e Lirë, përcjellë Gazeta Enigma.

Raporti u referohet gjetjeve fillestare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), të publikuara pas votimit, duke nënvizuar “disa mangësi që ndodhën në një mjedis të tensionuar dhe tejet të polarizuar”, si frikësimi dhe komprometimi i fshehtësisë së votës. Ai flet për “reformë gjithëpërfshirëse elektorale” dhe “dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të spektrit politik”. Por, sikurse deklaratat e publikuara më parë, raporti nuk i shpall zgjedhjet të pavlefshme. Dhe, e vërteta është se BE-ja është e ndarë rreth kësaj. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, nxitoi drejt Tbilisit për t’i uruar aleatët e tij politikë, përderisa ministrat për Evropë nga 15 shtete anëtare të BE-së lëshuan një komunikatë ku, të paktën, ngritën pikëpyetje nëse zgjedhjet ishin fer, dhe nënvizuan se Orban nuk foli në emër të bllokut.

Këto ndarje do ta bëjnë të vështirë arritjen e pajtimit për sanksione të mundshme të ardhshme ndaj udhëheqjes aktuale të Gjeorgjisë. Hungaria, e mbase edhe Sllovakia, do të përdorin veto. Dhe, pastaj është çështja e gjetjes së një shkeljeje që mund të sanksionohet, t’u faturohet ajo zyrtarëve mjaftueshëm të lartë, e më pas të mbështetet me prova. Tani për tani, kjo duket si punë e vështirë për Brukselin. Ajo që mbetet, përveç shkurtimit të mëtejmë të fondeve për Tbilisin, është pezullimi i liberalizimit të vizave, që kërkon mbështetjen e vetëm një shumice të kualifikuar të shteteve anëtare.

Por, a ka vërtet apetit për ta ndëshkuar tërë popullsinë? BE-ja do të diskutojë për këtë në samitin joformal të saj në Budapest, javën e ardhshme, dhe kur ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së të takohen në Bruksel, më vonë në nëntor. Por, s’priten hapa të mëdhenj.

Po aspektet më pozitive të raporteve? Komisioni shpreson se Moldavia dhe Ukraina do të hapin kapituj të procesit të anëtarësim “sa më shpejt të jetë e mundur më 2025”. Brukseli pret nga Kishinau që të ashpërsojë luftën kundër korrupsionit dhe “deoligarkizimit”, për të lëvizur tutje drejt anëtarësimit, përderisa Kievi duhet të vazhdojë ta luftojë krimin e organizuar dhe të vazhdojë ta përmirësojë legjislacionin për minoritetet kombëtare.

Gjëja që duhet t’i kushtohet vëmendje këtu është një lidhje e mundshme me Serbinë – dhe politika që mund të pasojë. Për të tretin vit rresht, KE-ja rekomandon që Beogradi të lejohet të hapë më shumë kapituj të negociatave për anëtarësim në BE. Kjo është diçka që e dëshiron edhe Hungaria, e cila aktualisht mban Presidencën me rotacion të BE-së. Shumë vende tjera anëtare të BE-së, megjithatë, nuk janë të kënaqura me lidhjet e afërta të Beogradit me Moskën.

Nuk përjashtohet mundësia që Budapesti mund të dëshirojë të këmbejë dritën e gjelbër për përparimin e Serbisë në fund të vitit 2024 me dhënien e aprovimit të saj për Ukrainën dikur më 2025.

Fjalë të mira ka edhe për Shqipërinë dhe Malin e Zi. Më herët, në tetor, Tirana hapi grupin e kapitujve të parë të procesit të anëtarësimit, dhe në dhjetor KE-ja shpreson se vendet anëtare do të hapin edhe një grup tjetër kapitujsh. Komisioni, po ashtu, mbështet objektivin tejet ambicioz të vendit për të mbyllur negociatat për anëtarësim deri në fund të vitit 2027. Kjo është vërtet në duart e shteteve anëtare, por tani për tani, Shqipëria është “rrëfimi pozitiv” i historisë së zymtë të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Për Malin e Zi, i cili tashmë i ka hapur që të 30 e ca kapitujt, KE-ja shpreson se disa kapituj mund të mbyllen deri në fund të vitit, gjë që duhej të ishte e arritshme, dhe se bisedimet të përmbyllen në fund të vitit 2026, siç synon edhe Podgorica, gjë që mund jetë vështirë e realizueshme. Por, nëse ndonjë vend ende mund t’i bashkohet klubit këtë dekadë, gjasat më të mëdha i ka Mali i Zi.

Pastaj janë rastet në dukje të pashpresa të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje e Hercegovinës. Aplikimi i Prishtinës për t’u bërë pjesë e BE-së po mbledh pluhur në sirtarët e Këshillit, ku shtetet anëtare nuk janë ende shumë të gatshme për t’ia dërguar Komisionit për një opinion për mundësitë e anëtarësimit – të paktën jo para zgjedhjeve parlamentare të shkurtit në vend.

Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar, për aq kohë sa nuk e ndryshon Kushtetutën e saj sipas dëshirave të Bullgarisë, diçka që nuk duket se ka gjasa të ndodhë në të ardhmen e afërt.

Pastaj është edhe Bosnje e Hercegovina, e cila mbase mund t’i nisë bisedimet për anëtarësim në një të ardhme të afërt, por që ka dështuar deri më tani me kushtet bazike, si emërimi i një kryenegociatori për bisedime me BE-në, themelimi i një ekipi për të kryer punët e vështira gjatë këtyre bisedimeve, dhe hartimi i një plani nacional për harmonizimin e ligjeve të vendit me ato të BE-së – duke pasqyruar politikat e brendshme jofunksionale të Sarajevës, ku entitetet e vendit rrallë mund të pajtohen për ndonjë rrugë përpara.

Related Articles