Kryetari i delegacionit të Kosovës në bisedime për çështje e personave të zhdukur, Andin Hoti, ka reaguar ndaj raportimeve se kinse i njejti është larguar nga Partia Demokratike e Kosovës, raporton Gazeta Enigma.
Hoti përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka shkruar se lajmet për largimin e tij janë të papranueshme dhe se sipas tij këto raportime e dëmtojnë reputacionin e tij.
“Konfuzioni i shkaktuar ditëve të fundit nga tendencat dhe sulmet e orkestruara që kulmuan mbrëmë me lajmin e “bujshëm” për gjoja largimin tim nga Partia Demokratike e Kosovës, është jo vetëm trazues dhe i papranueshëm, por edhe i dëmshëm për misionin tim human në krye të Komisionit për zbardhjen e fatit të familjarëve tanë që ende na mungojnë”, ka shkruar Hoti.
LEXO EDHE: Andin Hoti largohet nga PDK-ja
Ai tutje ka thënë se askush nuk do të mund ta ndalë në angazhimin për t’i gjetur më të dashurit e tij.
“Askush dhe me Asgjë nuk do të mund të më ndalë në angazhimin tim për t’i gjetur më të dashurit tanë; babin dhe 1631 të zhdukurit e tjerë me forcë gjatë luftës. Nuk do të heq dorë për asnjë çmim dhe nuk brengosem për qëndrimet apo opinionet politike të askujt”, ka theksuar ai.