Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se institucionet e Serbisë dhe krerët e tyre janë të interesuar sërish të destabilizojnë pjesë të vendit ku jeton komuniteti serb në Kosovë.
Ai është shprehur se ata vazhdojnë të mbrojnë dhe glorifikojnë kriminelë të cilët kryejnë akte, siç është shprehur ai, edhe terroriste në republikën tonë.
“Institucionet e Serbisë, krerët e tyre, janë të interesuar sërish të destabilizojnë pjesë të vendit ku jeton komuniteti serb në Kosovë. Kështu ka bërë historikisht. Ata vazhdojnë të mbrojnë dhe glorifikojnë kriminelë të cilët kryejnë akte edhe terroriste në Republikën tonë. Milovan Bozovic është një i tillë. Figurë e njohur për institucionet e sigurisë, si kriminel, pjesëtar aktiv i strukturës ilegale “Mbrojtja Civile” dhe grupeve të tjera kriminale. I njëjti po konsiderohet si hero për strukturat e Serbisë që e kanë dirigjuar. Për shkathtësitë e treguara në veprime kriminale ai është edhe ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të Milan Radoiçiq”.
“Përveç djegies së veturave në veri, plagosjes së pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, dëmtimit të infrastrukturës sonë kritike, kalimit ilegal të kufirit, rrahjeve të qytetarëve serbë, haraçit dhe zjarrvënies së bizneseve lokale, ai ka marrë pjesë edhe në sulmet ndaj shtëpive dhe pronave të pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe dyshohet për vrasjen e një pjesëtari të EULEX”, ka shkruar ai.
Ai është shprehur se mbrëmë janë sulmuar pjesëtarët e policisë tonë me shok bomba në Mitrovicë të Veriut.
“Çdo qenie njerëzore, jo thjesht zyrtarë publik apo politik, do të ishte distancuar e do të dënonte këto veprimtari për të cilat akuzohet Bozovic. Por jo dhe krerët e institucioneve të Serbisë dhe ata të Listës Serbe. Madje, duket se arrestimi dhe dërgimi i tij para drejtësisë ka lëkundur themelet e Listës Serbe dhe zyrës së ashtuquajtur për Kosovë.Siç u pa dje, ata po përdorin gjuhë kërcënuese publikisht. Madje, thërrasin për kryengritje dhe mosbindje për shkak të arrestimit të një recidivisti kriminal”.
“Mbrëmë pas këtyre thirrjeve janë sulmuar pjesëtarët e policisë sonë me shok bomba në Mitrovicë të Veriut. Thirrja për kryengritje dhe rezistencë është vepër e rëndë penale në Republikën e Kosovës. Ajo bëhet edhe e papranueshme kur vjen nga një subjekt parlamentar politik. Të tillët duhet të trajtohen dhe nga institucionet e pavarura e KQZ, për të verifikuar përshtatshmërinë e tyre në raport me rendin tonë kushtetues”, shkroi ai.
Ai ka shkruar se institucionet e Kosovës nuk do të lejojnë në asnjë formë që siguria e qytetarëve tanë në veri të cënohet.
“Para shprehjes me zell të skajshëm në mbrojtje të kriminelëve, Beogradi, Lista Serbe dhe zyra e ashtuquajtur për Kosovë duhet të deklarohen e pozicionohen rreth veprimtarisë së “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut”.Institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të lejojnë në asnjë formë që siguria e qytetarëve tanë në veri të cënohet, që ata të ndjehen të frikësuar apo të terrorizuar nga kushdo. Çdo kriminel apo grup i organizuar kriminal, pavarësisht përkatësisë etnike dhe çdo dallimi tjetër do të përballet me forcën e ligjit, pa asnjë kompromis”.
“Institucionet e sigurisë përkundër rrezikut dhe sulmeve të vazhdueshme po vijojnë angazhimin e tyre në luftim të çdo lloj kriminaliteti, në mbrojtje të qytetarëve e në garantim të rendit dhe ligjit. Çdo kush dhe ne presim që institucionet e drejtësisë të veprojnë sa më parë, pa dilema e hezitim. Republika jonë do të mbrohet në çdo cep dhe nuk ka organizim kriminal që mund të sfidojnë zyrtarët e vendit tonë. Nuk është hera e parë që sulmojnë, por për shumë grupe kriminale këto akte mbeten dhe të fundit. Sado zell të kenë grupet e tilla për destabilizim dhe kërcënim, zelli dhe vullneti për mbrojtjen e rendit publik nga institucionet tona është i pamatshëm dhe i parezervë”, shkroi tutje Sveçla.